Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut,Dimitar Kovaçevski sot është takuar me delegacionin e Bankës Evropiane për Investime, të udhëhequr nga nënkryetarja e bankës, Liljana Pavllova.
Në takim,morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomikë dhe Investime, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Bashkërisht u konstatua bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm i shtetit me Bankën Evropiane për Investime, me shpresën që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në fusha të tjera.
Në takim u diskutua për mbështetjen që Banka Evropiane e Investimeve e siguron për realizimin e projekteve kyçe në sektorin publik në fushën e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, energjetikës, si dhe projekte në fushën e zhvillimit të gjelbër dhe tranzicionit të gjelbër të vendit.
Në këtë drejtim, përfaqësuesit e Bankës Evropiane të Investimeve theksuan se vazhdon mbështetja e projekteve shtetërore, por edhe të sektorit privat.
Bashkrisht u theksua rëndësia për realizimin e projektit për ndërtimin e interkonjektorit të gazit me Greqinë dhe realizimin e aksit në vend, me ç'rast, u vlerësua se ky investim do të kontribuojë në stabilitetin e furnizimit me energji, i cili do të sigurojë rritje të vendit dhe integrim më të shpejtë në tregun energjetik në rajon, si dhe në Bashkimin Evropian.
U potencua edhe rëndësia e projektit për ndërtimin e stacionit të filtrimit të ujërave të zeza në Shkup, i cili mbështetet përmes një granti investimi në kuadër të Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me çfarë do të sigurohet përmirësimi i cilësisë së kushteve për jetë të banorëve të kryeqytetit, por edhe më gjerë.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski në takim, shprehu falënderim në emër të Qeverisë, për mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Evropiane për Investime ndaj shtetit, me çfarë, ky institucion i rëndësishëm financiar ndërkombëtar kontribuon në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Banka Evropiane për Investime është aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut që nga viti 1991, duke siguruar mbi 1.1 miliardë euro, mbështetje financiare për ndërmarrjet, si dhe për projekte në fushën e transportit, energjisë dhe infrastrukturës.