Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Tetovë mori pjesë në vënien e gurthemelit të projektit Korridorit 8, i cili shënoi fillimin e ndërtimit të autostradës moderne, bashkëkohore Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan, Trebenishtë - Strugë – Qafë Thanë.
Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryetarit të Qeverisë:
“Akti i sotëm është fillimi i një vepre serioze strategjike dhe shtetërore, përfitimin e të cilit do ta shohin gjeneratat aktuale dhe të ardhshme të vendit tonë, por edhe dy vendet fqinje në lindje dhe në perëndim, që janë lidhur me Korridorin 8, dhe me të gjithë ata që do të kalojnë nëpër të.
Kjo Qeveri ka vite që dëshmon se kujdeset për zbatimin e çështjeve kryesore strategjike për vendin, pavarësisht nëse janë çështje të brendshme apo të jashtme.
Pavarësisht nëse flasim për NATO-n apo BE-në, apo flasim për investime në gazsjellës, autostrada, mullinj të erës dhe termocentrale diellore, janë pikërisht arritjet tona që dëshmojnë se ne po punojmë për interesat e të gjithë qytetarëve dhe më së shumti në interes të brezave të ardhshëm që do të kenë një jetë më të mirë me këto hapa, vendime dhe investime tona.
Sepse nga ndërtimi i autostradës ose impiantit diellor, të erës, biogazit, apo cilitdo objekt energjetik, përfitimin e plotë do ta shohin gjeneratat që nesër nuk do të kufizohen nga sfida të tilla që ne sot i kalojmë dhe do të fokusohen në arritjet e avancuara, arritjet teknologjike dhe biznesit.
Dhe në këtë vërehet burrëria jonë gjatë gjithë këtyre viteve. Në marrjen e vendimeve të guximshme që do ta bëjnë nesër jetën më të mirë për të gjithë qytetarët, pavarësisht nëse ato arritje kanë ndodhur në një mandat. Nuk jemi ne ata që do të kalkulojmë me pikë të vogla politike, por jemi ne që zgjidhim çështjet madhore të paguara me dekada, pa kalkulime partiake por për interes publik.
Me pozicionin gjeostrategjik dhe Korridorin 8, ne bëhemi një rrugë e pashmangshme transporti si në rajon ashtu edhe më gjerë.
Sot nis një ofensivë e fortë ndërtimore për ndërtimin e pjesës perëndimore të Korridorit 8. Gurthemeli i Korridorit 8 nuk është vetëm fillimi i një infrastrukture të re rrugore, është edhe gurthemeli i investimeve të reja, hapja e tregjeve të reja, mundësi për bashkëpunime të reja si mes kompanive vendore, ashtu edhe ndërkombëtare.
Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton më pak shpenzime për transport, transport më të shpejtë, lidhje dhe integrim të Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillim ekonomik dhe rajonal të vendit.
Ndërtimi i autostradës moderne, bashkëkohore Tetovë - Gostivar, Gostivar - Bukojçan, Trebenisht - Strugë – Qafë Thanë, sot tregon se është një synim konkret, real dhe i arritshëm që është në interes të qytetarëve, për jetë më të mirë dhe prosperitet të komunitetit të biznesit. Çdo autostradë sjell një mundësi për biznese të reja dhe zhvillim ekonomik. Stacione të reja karburanti, hotele të reja, restorante, ambiente biznesi, më shumë punësim, punë më të paguara, më shumë konkurrencë dhe zhvillim më të shpejtë.
E di sa e rëndësishme është kjo autostradë për një impuls të ri ekonomik dhe zhvillimor jo vetëm në pjesën perëndimore të vendit, por edhe për zhvillimin rajonal të të gjithë vendit.
Ndërtimi i Korridorit 8 nënkupton lidhjen e vendit me vendet e tjera evropiane, do të thotë investime të huaja, zhvillim ekonomik i vendit, qarkullim më i shpejtë i njerëzve dhe mallrave, turizëm i zhvilluar dhe mbi të gjitha rrugë të sigurta për qytetarët.
Korridori 8 dhe Korridori 10d janë projekti më i madh infrastrukturor në vendin tonë në sektorin rrugor. Vlera e Marrëveshjes për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d është 1.3 miliardë euro. Do të ndërtohen katër akse të autostradave me një gjatësi totale prej rreth 110 kilometrash. Një gjë e tillë nuk është bërë kurrë në historinë e vendit tonë. Deri më sot, këto dy korridore ishin vetëm një plan në letër, i cili nuk u realizua asnjëherë për arsye të ndryshme. Sot kjo ndryshon dhe fillon realizimi i tyre. Për herë të parë, si shtet, ne po lidhemi me perëndimin dhe lindjen, dhe jo thjesht të lidhim veriun me jugun si më parë. Me ndërtimin e autostradave, vendi ynë do të lidhet me dy porte të tjera. Porti i Durrësit dhe porti në Burgas janë gjithashtu një mundësi dhe perspektivë e shkëlqyer zhvillimi. Nëse Maqedonia e Veriut ishte një rrethrrotullim deri më tani, tani me këtë Korridor 8 po bëhet një udhëkryq i vërtetë në Ballkan.
Kjo është e ardhmja jonë, vetëm duke investuar në projekte kapitale ne ofrojmë mundësi për ekonominë, për komunitetin e biznesit, investojmë në një lidhje funksionale, moderne, rrugore të gjithë rajonit. Ky investim hap rrugë të reja evropiane për Maqedoninë e Veriut dhe vendos një lidhje me rajonin, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për ekonominë tonë.
Jam i lumtur që realizimi i infrastrukturës rrugore vazhdoi pavarësisht krizës së rëndë ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë. Pavarësisht krizës, kjo Qeveri që unë udhëheq, investon në krijimin e kushteve cilësore të jetesës për të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilën pjesë të vendit ndodhen.
Nuk do të heq dorë nga investimet në infrastrukturë, nuk do të heq dorë nga investimet në pavarësinë energjetike të shtetit dhe nuk do të heq dorë nga investimet në rritjen e kapaciteteve energjetike të shtetit, sepse ato janë parakusht për rritjen ekonomike të shtetit.
Më vjen veçanërisht mirë që kjo autostradë do të jetë një mundësi e madhe për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut. Korridori 8 dhe 10d janë shumë të rëndësishëm për autonominë tonë strategjike, të cilat do ta vendosin vendin tonë në hartën e komunikacionit dhe hartën ekonomike të Evropës.
Qeveria do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë, ne do të vazhdojmë të investojmë në projekte që do të sigurojnë rritjen ekonomike afatgjate të vendit.
Në fund dua t'u them realizuesve, projektuesve, mbikëqyrësve, kolegëve të TVM-së, punonjësve dhe menaxhmentit të NPRRSHP-së, le të jetë sot një ditë e lumtur dhe le të jetë e lehtë dhe e frytshme dhe le të përfundojë puna e ndërtimit brenda afatit të caktuar”.