Diskutim i frytshëm në seancën e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në agjendë të të cilit ishte dosja evropiane e Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, iu përgjigj pyetjeve të shumta të eurodeputetëve lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi ynë në rrugën drejt Unionit, duke filluar nga procesi i skriningut, agjenda e reformave, ndryshimet kushtetuese e deri tek statusi i bashkësive etnike, me fokus në bashkësinë etnike bullgare.
Osmani theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi se edhe në një rajon si Ballkani i mbushur me paragjykime, shtetet mund të jenë demokraci multietnike funksionale si Republika e Maqedonisë së Veriut e cila shërben si shembull, jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë. Dëshmi për këtë është edhe kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, theksoi Osmani.
Osmani theksoi se ajo që i dallon shtetarët nga politikanët është fakti se shtetarët nga Maqedonia e Veriut mendojnë për gjeneratat e ardhshme, për dallim nga politikanët që mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardhshme. Në këtë kontekst, shteti synon të ndërtojë një marrëdhënie të përsosur me të gjitha komunitetet pavarësisht nga numri i tyre, ku të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie etnike do të kenë të njëjtin trajtim, por që në të njëjtën kohë është e nevojshme të krijohet një atmosferë e përshtatshme në Bullgarinë fqinje dhe të braktiset praktika e provokimeve të politikanëve të cilët e mohojnë identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase në mes të Shkupit.
“Marrëveshja me Bullgarinë, ajo me Greqinë si dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit janë tre shtyllat e Maqedonisë së Veriut euroatlantike. E shoh veten si gardian i tre marrëveshjeve. Edhe një herë e shtrij dorën se në Maqedoninë e Veriut kemi për qëllim ndërtimin e një shoqërie të përsosur si qëndrim i shtetit ndaj të gjitha komuniteteve, pavarësisht sa të shumtë janë ato”, tha Osmani.
Ai theksoi se ndryshimet kushtetuese, për të cilat sot filloi diskutimi institucional, do të jenë mundësi formale për integrimin e komunitetit bullgar.
“Fillon mbledhja e parë e Komisionit për Ndryshime Kushtetuese dhe me këtë nis debati publik për ndryshimet kushtetuese. Do të përpiqemi të arrijmë tek çdo qytetar dhe të shpjegojmë se ky proces është i rëndësishëm për integrimin e komuniteteve, por edhe për vazhdimin e rrugës drejt Bashkimit Evropian, por nuk do të mund ta bëjmë të vetëm. Kemi nevojë për mbështetje për këtë. Mbështetje nga ju në drejtim të inkorporimit të kredibilitetit në proces”, tha Osmani.
Ndër të tjera, Osmani bëri thirrje për sinjale të qarta nga Brukseli për një proces të besueshëm dhe të parashikueshëm eurointegrues, si përgjigje ndaj euroskepticizmit që po rritet në vend.