Me rastin e fillimit të funksionimit të tregut të parë të organizuar të energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, nga Operatori Nacional në treg i energjisë elektrike, MEMO, Kryeministri Dimitar Kovaçevski i dërgoi një letër urimi drejtorit të MEMO-s Simon Shutinoski dhe ekipit të tij, si dhe të gjitha palëve në sektorin e energjisë dhe në qeveri, të cilët punuan për këtë vizion shumëvjeçar.
Në letrën e tij, Kryeministri Kovaçevski theksoi rëndësinë e mbështetjes së Sekretariatit të Komunitetit Energjetik dhe USAID-it në këtë proces.
Më poshtë fjalimi integral me shkrim i Kryeministrit Kovaçevski:
“Sot është edhe një ditë e madhe dhe domethënëse për ekonominë dhe perspektivat e qytetarëve dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Fillon me punë bursa e parë maqedonase për tregtimin e energjisë elektrike.
Furnizuesit e energjisë për industrinë dhe institucionet, si dhe tregtarët, nuk do të kërkojnë më energji nga tregjet e huaja. Energjia elektrike do të kërkohet dhe do të merret në tregun maqedonas përmes bursës së tregtimit të energjisë elektrike.
Furnizuesit do të kërkojnë dhe do të paguajnë energjinë sot dhe do ta marrin atë menjëherë - nesër.
Funksionimi i kësaj burse do të thotë siguri për prodhimin e energjisë elektrike, siguri për spitalet, për shkollat, për të gjitha institucionet që blejnë energji në tregun e liberalizuar – gjegjësisht furnizim stabil me energji elektrike dhe mundësi për prokurim efikas të sasive të disponueshme të rrymës.
Për kompanitë dhe investitorët, kjo do të thotë një mundësi për tregti transparente dhe jodiskriminuese i energjisë elektrike.
Për shtetin dhe për qytetarët, fillimi me punë i bursës do të thotë një mundësi për investitorë të rinj të huaj, të cilët i motivojmë të investojnë në burimet e ripërtërishme të energjisë në vend.
Me hapjen e bursës së parë maqedonase për tregtimin e energjisë elektrike, hapim edhe mundësinë e lidhjes me tregjet e energjisë elektrike të vendeve fqinje.
Dimri që është pas nesh tregoi se çfarë do të thotë të kesh burime energjie vendore, të qëndrueshme dhe të besueshme.
Vizioni im është ta bëjmë Maqedoninë e Veriut një vend modern, plotësisht të integruar në tregun evropian të energjisë. Dhe Qeveria, përmes MEMO-s, ka bërë tashmë hapin kyç për t'u lidhur me tregjet e organizuara rajonale dhe me tregun evropian, sipas modelit pan-evropian.
Hapja e Bursës maqedonase të energjisë elektrike mund dhe duhej të ndodhte 10 vjet më parë, por nuk është rastësisht sot.
Dhe për këtë lëvizje të madhe, mbi të gjitha duhet vullnet politik, i fokusuar në nevojat e ekonomisë dhe të qytetarëve dhe jo në interesat personale, si dhe ekspertizë dhe integrim në familjet demokratike të kombeve dhe shteteve, si NATO dhe BE.
Sukseset e mëdha janë pasqyrë e vendimeve të mëdha, të vështira dhe të mençura, prandaj sot shënojmë një tjetër sukses për qytetarët dhe shtetin.
Ftoj kompanitë vendore energjetike në vendin tonë, të regjistruara për prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike, investitorët ndërkombëtarë në kapacitete prodhuese nga burimet e ripërtërishme të energjisë, subjektet e interesuara, të cilët sipas ligjit kanë mundësinë të ofrojnë dhe të kërkojnë energji elektrike përmes berzës, t'i bashkohemi këtij një projekti të ri zhvillimor!” - thuhet në letrën e Kryeministrit Kovaçevski me rastin e ngjarjes së sotme kushtuar hapjes së bursës së parë maqedonase për tregtimin e energjisë elektrike.