Në paradën e maturantëve 2023, e cila u mbajt në shesh në Shkup,paralelisht me mbajtjen e të njëjtit manifestim në 50 qytete të tjera nga Evropa Qendrore dhe Lindore, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, maturantëve ju uroi fat dhe suksese të mëtejshme në të ardhmen duke pritur, siç theksoi ai, gjeneratat e tanishme të jenë udhëheqës të ndryshimeve të reja pozitive dhe të prosperitetit të vendit tonë.
“ Tani jeni të gjithë përpara provimit të pjekurisë, në udhëkryq ku duhet të vendosni se për cilin drejtim do të përcaktoheni. Disa prej jush do të vendosin të vazhdojnë shkollimin ndërsa Ju rekomandoj që përveç afiniteteve dhe dëshirave të Juaja personale, që të udhëhiqeni nga informacioni se ç'farë kuadri mungon në tregun e punës. Në këtë mënyrë, punëdhënësit do t'ju kërkojnë vetë.Disa drejtpërdrejt do të kyçen në tregun e punës.Dhe ata i këshilloj që të vazhdojnë të avancohen, të shfrytëzojnë çdo mundësi për të përvetësuar njohuri dhe aftësi të reja. Megjithatë, arsimimi nuk është akt, por proces i përjetshëm” potencoi ministri.
Duke i uruar për maturën, theksoi se beson te të rinjtë dhe energjitë e tyre të cilat së pari duhet ta kthejnë në vepra konkrete në favor të tyre dhe të shtetit.
“Në këtë ngjarje të bukur dua të dërgoj një porosi shumë të rëndësishëm, për të përhapur paqen, dashurinë, tolerancën dhe respektin. Duajeni dhe respektoni njëri-tjetrin. Kurrë mos u bëni të dhunshëm.“Respektoni diversitetin dhe shikojini si mundësi bashkimi, jo si sfida”, theksoi ministri.
Pikërisht në mesditë, për të 14-tën herë maturantët e shkollave të Shkupit luajtën kadrilin e Shtrausit. Manifestimi është nën patronatin e Qytetit të Shkupit, ndërsa organizohet nga shoqata Drejtoria për Kulturë dhe Art në Shkup dhe Klubi sportiv i vallëzimit “Ritam Plus”.