Kovaçevski theksoi se përmes përvojës që kemi pasur si shtet, nuk mund të gjendet një zgjidhje identike për sfida të caktuara ndërmjet vendeve të rajonit, por përvoja të tilla mund të pasqyrohen.
“Nëse e lexoni raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, do të gjeni një shembull të një marrëveshjeje të qëndrueshme që zgjidh çështjet e identitetit në një vend, dhe kjo është Marrëveshja Kornizë e Ohrit në Maqedoninë e Veriut.
Kjo marrëveshje u nënshkrua pas konfliktit në Maqedoninë e Veriut mes dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve dhe shqiptarëve. Që atëherë, Maqedonia e Veriut ka qenë shembull i një vendi që ka treguar se përmes diplomacisë, përmes bisedimeve dhe përmes zbatimit të asaj që është rënë dakord, është e mundur të përparohet nga një vend që ishte shfrytëzues i misioneve ushtarake të huaja apo ndërkombëtare në ruajtjen e paqes.
Nëse misioni i parë i KB-së ishte te ne, sot jemi faktor stabiliteti në Ballkan, jemi anëtarë të NATO-s, një vend që ka nisur bisedimet me BE-në, ne kryesojmë OSBE-në këtë vit. Dhe këtu janë marrëveshjet nga Procesi i Berlinit nga Ballkani Perëndimor”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryeministri në Forumin e Sigurisë foli edhe për proceset reformuese në të cilat është fokusuar Qeveria, me qëllim të përmbushjes së kritereve formale për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.