Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Malit të Zi, Jakov Milatoviq.
Kryeministri Kovaçevski i uroi Milatoviqit mandatin presidencial si dhe përfundimin me sukses të fundit të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, duke shprehur besimin se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe me qeverinë e ardhshme malazeze do të vazhdojnë, si në planin bilateral ashtu edhe në atë rajonal dhe në rrugën evropiane.
Bashkë është konstatuar se dy vendet kanë bashkëpunim të ngushtë miqësor, pa çështje të hapura dhe janë shembull i marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajon.
Në këtë drejtim, Kovaçevski dhe Milatoviq theksuan vendosmërinë e përbashkët për të kontribuar në stabilitetin rajonal dhe evropian dhe në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor si pjesë e Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kovaçevski e vlerësoi bashkëpunimin me Malin e Zi si të rëndësishëm, në kuadër të partneritetit në NATO dhe si vend që tashmë i ka hapur të gjitha kapitujt në procesin e negociatave me BE-në.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe unë si Kryeministër po punojmë me fokus të fortë në përparimin e mëtutjeshëm të vendit tonë në rrugën evropiane. Aktivitetet tona të intensifikuara aktuale për bashkimin politik dhe marrjen e vendimeve të nevojshme në Kuvend janë në atë drejtim. Maqedonia e Veriut ka qenë gjithmonë shembull i një demokracie dhe shoqërie të suksesshme multietnike për të gjithë qytetarët që kanë të drejta dhe përgjegjësi të barabarta para Kushtetutës dhe ligjeve. Me vendosjen e komuniteteve të tjera etnike në Kushtetutën tonë, duke përfshirë edhe anëtarët e komunitetit malazez në Maqedoninë e Veriut, ne dëshmojmë se jemi Evropa në miniaturë dhe një vend që vazhdimisht respekton vlerat evropiane, prandaj tashmë e meriton të jetë pjesë e Evropës”, tha kryeministri Kovaçevski.
Në takim u ndanë përvoja për rrjedhën e procesit të integrimit evropian dhe u shprehën përcaktimet për bashkëpunim edhe më aktiv dypalësh dhe rajonal.