Nga muaji shtator në të gjitha shkollat fillore në vend do të jenë në dispozicion mjetet e reja mësimore dhe ndihmëse në histori, gjeografi dhe lëndë të tjera nga grupi i shkencave shoqërore,ku orët mësimore do të jenë dukshëm më interesante për nxënësit dhe materiali mësimor do të jetë më i lehtë për t'u përvetësuar.Kabinetet për këto lëndë për momentin janë duke u pajisur me lloje të ndryshme harta gjeografike dhe historike, globe, modele të sistemit diellor, busulla dhe të gjitha pajisjet që janë të nevojshme për realizimin e mësimit në pajtueshmëri me Konceptin e ri për Arsimin Fillor.
Procesi e pajisjes të kabineteve shkollore nga afër sot e ndoqi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, i cili e vizitoi SHFK "Murat Llabunishti" në Labunishtë të Strugës, ku gjithashtu paralajmëroi investim prej mbi 8 milionë denarë për rikonstruksionin e çatisë, tualeteve dhe hapësirave ndihmëse të bodrumit të objektit.
“Vazhdojmë me investimet për modernizimin e procesit edukativo-arsimor, veçanërisht në shkollat fillore. Ata do të pajisen plotësisht me kabinete për lëndën e historisë dhe gjeografisë, sikurse edhe gjatë periudhës së kaluar u pajisen me kabinete të reja për shkencat natyrore. Ky aktivitet realizohet përmes projektit për modernizimin e arsimit fillor dhe për këtë arsye shpreh mirënjohje të madhe për Bankën Botërore e cila financon realizimin e tij”, tha Shaqiri, duke theksuar se procesi i përmirësimit dhe modernizimit të arsimit fillor po zhvillohet intensivisht dhe konform planit që është miratuar 2 vite më parë përmes një procesi të gjerë diskutimi publik.
Në ndërkohë janë duke u intensifikuar edhe aktivitetet për renovimin dhe rikonstruksionin e shkollave fillore dhe të mesme. Shaqiri rikujtoi se me buxhet prej mbi 4.5 milionë euroderi në fund të këtij viti kalendarik janë paraparë aktivitete renovuese në 50 objekte shkollore në disa komuna të vendit. Mjetet janë parashikuar në buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Njësisë së projektit për ndërtimin e 145 sallave sportive dhe rehabilitimin e objekteve shkollore ndërsa pjesa më madhe eshkollave, gjegjësisht 40 objekte, do të përfshihen nga aktivitetet rikonstruktive sërisht me mbështetjen e Bankës Botërore.