“Që nga dita e parë të ardhjes së kësaj Qeverie, si një nga prioritetet kryesore ka qenë dhe është ende përforcimi ekonomik, krijimi i një ambienti konkurrues dhe klime të favorshme biznesi, ndërsa në funksion të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve", deklaroi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski në manifestimin “MKEekonomi – Besimi po rritet” organizuar nga Kabineti i zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi, i dedikuar për 919 kompanitë përfituese nga Ligji për mbështetje financiare të investimeve.
Në fjalimin e tij, Kryeministri Kovaçevski tha se ky imperativ i yni po ndodh në kushtet e krizës së madhe globale ekonomike-energjetike dhe të inflacionit, gjatë së cilës theksuam se duhet të marrim masa që tani dhe menjëherë për mbrojtjen e qytetarëve nga rritjet e mëdha të çmimeve dhe ruajtjen e likuiditetit të kompanive, si dhe ruajtjen e ciklit të tyre investues.
Paralelisht, punojmë në plan afatmesëm dhe afatgjatë në konsultim me komunitetin e biznesit dhe të gjitha palët, në drejtim të përmirësimit të mjedisit të përgjithshëm të biznesit, rritjes së konkurrencës së sektorit privat dhe krijimit të kushteve për më shumë investime vendore dhe të huaja, si dhe sa më shumë punësim. Edhe në kushte krize, më e rëndësishmja është që investimet të mos ndalen dhe këtë e dini më së miri të gjithë ju që jeni këtu.
Në këtë drejtim, Qeveria përmes Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve ka mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro që nga zbatimi i tij. Në 6 vite, mbështetja financiare nga shteti për kompanitë vendore është rritur për 11 herë. Nga 3.2 milionë euro në 2018 në 35 milionë euro në 2023. jam i bindur se ditën që do të bëhemi pjesë e BE-së, vendi ynë dhe rajoni ynë do të jetë vendi dhe rajoni me normat më të larta të rritjes ekonomike krahasuar me të gjitha vendet e tjera anëtare aktuale të BE-së. Në epokën e re të inovacionit dhe ekonomisë së bazuar në njohuri, praktikat më të mira janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Suksesi juaj është një investim i madh për rritjen e vendit. Prandaj, ju siguroj se ne mund të kemi sukses, edhe më mirë, edhe më shumë, edhe më shpejt. Për mua dhe për Qeverinë jeni aleati ynë, partneri ynë, të gjithë punojmë për të njëjtin qëllim. Ju përgëzoj përzemërsisht për suksesin tuaj, ju uroj sinqerisht edhe shumë suksese dhe të ndajmë së bashku fitoret e reja ekonomike dhe sociale", tha Kovaçevski.
Nënkryetari i Qeverisë, i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinimin e resorëve ekonomikë dhe investimeve, Fatmir Bytyqi, theksoi përkushtimin e tij si zëvendëskryeministër, por edhe më parë si këshilltar i Kryeministrit, në drejtim të ristrukturimit të ekonomisë sonë vendore.
Zëvendëskryeministri Bytyqi u tha përfaqësuesve të kompanve se të gjithë kemi një karakteristikë të përbashkët, e ajo është se të gjithë i kuptojmë mirë numrat.
“Me shifra, nëse deri në vitin 2017 kishim zero kompani vendore të mbështetura, sot mbështesim 919 kompani vendore. Në këtë mënyrë, mund të them se përpjekjet për të ushqyer motorët që drejtojnë ekonominë tonë po japin rezultate. Është një arritje që ia atribuoj me modesti kësaj sipërmarrje, sepse të paktën 12, apo ndoshta edhe më shumë vite më parë, nuk kishte ndodhur. Këtë sukses nuk ia atribuoj në mënyrë të njëanshme vetëm llogarisë së institucioneve. Përkundrazi, kjo arritje është 100% partneritet, prandaj e shfrytëzoj rastin t'ju falënderoj për përkushtimin dhe këmbënguljen tuaj. Me këtë Ligj keni investuar gjysmë miliardë euro në vendin tonë. Dhe ky për mua është një akt i madh patriotik. Së bashku kontribuuam në ristrukturimin e ekonomisë vendore dhe ju merrni një mbështetje reale që është e parashikueshme dhe që ndjek nevojat tuaja zhvillimore. Prandaj, ky sukses i vërtetë i përbashkët do të vazhdojë si aksion në atë që është e jona, e përbashkët dhe ka rëndësi për të gjithë ne”, tha Bytyqi.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, në fjalimin e tij theksoi se çdo aktivitet investues është i një rëndësie të paçmueshme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë arsye ky Ligj është miratuar pikërisht për këtë qëllim, që të inkurajojë kompanitë të investojnë, të bëhen konkurruese.
“Kur kemi filluar hartimin e Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve para gati pesë viteve, jemi udhëhequr nga qëllimi kryesor – që kompanitë vendore të kenë të njëjtat përfitime dhe të njëjtën mbështetje nga shteti si kompanitë e huaja. Deri në vitin 2017, se cilat kompani do të merrnin mbështetje financiare për investimet e tyre ishte vetëm në dëshirë të funksionerëve të asaj kohe. Vendimet janë marrë në mbledhje të mbyllura të Qeverisë, si informacione të klasifikuara. Prandaj vendosëm që mbështetjet financiare që do të marrin kompanitë për investimet e tyre të përkthehen në një zgjidhje ligjore për të eliminuar të gjitha rreziqet, për të hequr mundësinë e bisedimeve në katër sy, si dhe për të ofruar një shans të barabartë për të gjitha kompanitë që plotësojnë kushtet e mënyrës transparente për të marrë mbështetje financiare nga shteti për investimet e realizuara. Prandaj sot mund të flasim jo për një, dy apo tre investime të mbështetura nga shteti, por flasim për mbi 900 kompani vendore të mbështetura që kanë realizuar investime. Ne e hartuam këtë Ligj së bashku me Odat e tregtisë në mënyrë që të kemi një zgjidhje të qëndrueshme që do t'u mundësojë të gjithë investitorëve të kenë parashikueshmëri për investimet e tyre. Ata do të dinë saktësisht se sa mbështetje financiare do të marrin nga shteti dhe do të mund të planifikojnë rritjen e tyre”, tha Bekteshi.
Ligji për mbështetjen financiare të investimeve është miratuar në vitin 2018. Me mbështetjen e Qeverisë për kompanitë vendore nga viti 2018 deri në vitin 2023 janë mbështetur 919 kompani me 100 milionë euro.