Kovaçevski në takim me përfaqësuesit e Pakicës Kombëtare Maqedonase (PKM) në Tiranë: Vazhdojmë me mbështetjen dhe mbrojtjen e vazhdueshme të qytetarëve maqedonas në Shqipëri

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Tiranë, Shqipëri, realizoi takim me përfaqësuesit e Pakicës Kombëtare Maqedonase në Shqipëri dhe ka diskutuar për maqedonasit në Prespën e Vogël, Tiranë, Gollobërdë dhe Gorë. Në takim, përveç Kryeministrit Kovaçevski, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Bojan Mariçiq, si dhe Danço Markovski, ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën e Shqipërisë.

Në takim, Kryeministri Kovacevski bisedoi me Vasill Sterjovskin, kryetar i Aleancës Maqedonase për Integrim Evropian (AMIE) në Shqipëri, Kimet Fetahu, aktivist dhe kryetar i Shoqatës MIR, Edri Fetahu, nënkryetar i AMIE-së, Marijana Felah, përfaqësuese e pakicës maqedonase në Shqipëri pranë Komitetit për Pakicat Kombëtare në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, Besnik Hasani, kryetar i shoqatës MOST nga Gollobërda, si dhe përfaqësues të sektorit të biznesit nga Maqedonia e Veriut që punojnë në Shqipëri.

Në takim u përshëndet mbështetja e përgjithshme që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ofron në të gjitha fushat për maqedonasit tanë që jetojnë në Shqipëri.

Bashkëbiseduesit përshëndetën vendimin e Universitetit të Tiranës për studimin e gjuhës maqedonase, për të cilin do të dërgohet një lektor nga Maqedonia e Veriut në Katedrën për Studime Gjuhësore nga rajoni, ndërsa i njëjti pritet të zbatohet së shpejti edhe në Universitetin e Korçës. 

Në periudhën e kaluar janë realizuar projekte nga Plani i Veprimit për mbështetjen e maqedonasve tanë nga Gollobërda dhe Pusteci, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës së mërgimtarëve tanë që jetojnë në këtë pjesë të Shqipërisë.

Në bisedë u përshëndet përkushtimi për zgjidhje të plotë për problemin dhjetëvjeçar të vënies në përdorim të pikës kufitare Trebisht-Xhepishtë, i cili do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme për popullatën maqedonase në rajonin e Gollobërdës.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria është duke realizuar disa aktivitete në lidhje me rritjen e numrit të bursave për studime në institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë, përmes të cilave 39 aplikantë nga Prespa e Vogël dhe Gollobërda kanë marrë bursa shtetërore për studime në fakultetet shtetërore për vitin akademik 2023/2024.

Krahas kësaj, në takim u diskutua edhe për financimin e projekteve për diasporën, duke përfshirë edhe mërgimtarët tanë që jetojnë në Shqipëri.

Bashkëbiseduesit nga komuniteti i biznesit kanë folur për intensifikimin e tregtisë, që në vitin 2022 është 307 milionë euro, për dallim nga viti 2016, kur ishte rreth 165 milionë euro. Është shqyrtuar mundësia e krijimit të një klubi biznesi në Tiranë, ku do të anëtarësohen kompani maqedonase dhe shqiptare, sepse ka një trend pozitiv të rritjes së kompanive.

Në takim u theksua rëndësia e shfrytëzimit të mjeteve për zhvillim dhe përforcimin e buxheteve të shoqatave me qëllim të realizimit të projekteve për përkrahje të pakicës maqedonase.
 
Përfaqësuesit e shoqatave të mërgimtarëve përshëndetën bashkëpunimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut me institucionet kompetente të Shqipërisë për të gjitha çështjet me interes për mërgimtarët tanë, në pjesën e regjistrimit, organizimin në vetëqeverisjen lokale dhe në fusha të tjera të jetës së përditshme. 

Në takim u theksua se Qeveria edhe në të ardhmen do të vazhdojë të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së mërgimtarëve tanë, në përmirësimin e kushteve për arsim, si dhe ndihmën financiare për aranzhime komunale në komunat ku jeton popullata maqedonase. .

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të mbajtur në Shqipëri në vitin 2011, janë regjistruar 5,512 maqedonas.