Kryeministri Talat Xhaferi zhvilloi takim me eurodeputetin Ilhan Kjuçuk, raportues në Parlamentin Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Duke shprehur falënderim për bashkëpunimin e deritanishëm të afërt dhe aktiv me eurodeputetin Kjuçuk në katër vitet e fundit, Kryeministri Xhaferi theksoi kënaqësinë e tij për mbështetjen nga ana e Kjuçukut në promovimin e dosjes evropiane të Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian dhe kontributin e tij personal në marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin. Shembulli i fundit i suksesshëm në atë drejtim ishte procesi i “Dialogut Zhan Mone”, në kuadër të të cilit zhvilloheshin bisedimet për Rregulloren e re të Kuvendit, e cila u miratua me konsensus nga deputetët.
Në takim u shkëmbyen mendime për përparimin e shtetit në kontekst të integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe për situatën e brendshme politike para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe presidenciale. Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet synim strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, andaj zotim i fuqishëm i Qeverisë mbetet përmbushja e obligimeve që janë pjesë e kornizës së negociatave me BE-në.
Kryeministri Xhaferi dhe eurodeputeti Kjuçuk shkëmbyen qëndrime për reformat e arritura në shtet, si edhe për dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se vazhdimi i procesit të zgjerimit është në interes të Bashkimit Evropian dhe në këtë mënyrë, shtetet e Ballkanit Perëndimor do të përqendrohen në forcimin e zbatimit të proceseve reformuese.
Duke i uruar zgjedhjen e Kryetarit të Qeverisë, Talat Xhaferit, Kjuçuk theksoi se kjo zgjedhje është sukses jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin, me ç’rast theksoi se Maqedonia e Veriut edhe një herë u bë shembull edhe për shumë vende evropiane për funksionimin e suksesshëm të demokracisë multietnike. Në të njëjtën kohë, ai theksoi se vendi do të mund të vazhdojë edhe më tej të llogarisë në mbështetjen e tij dhe shprehu shpresën se pas zgjedhjeve të ardhshme për deputetë në Parlamentin Evropian, do të ketë mundësi të vazhdojë të kontribuojë në integrimin më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.