Ministri i Shëndetësisë, dr. Ilir Demiri, ka folur sot në Akademinë Solemne me rastin e hapjes së Qendrës për Transplantimin e Qelizave Staminale Hematopoetike në Klinikën Universitare për Hematologji, e cila u vu në përdorim 3 javë më parë.
Në vijim ju përcjellim fjalimin e plotë të tij:
„Është nder i madh t'i drejtohem sot Akademisë Solemne me rastin e hapjes së Qendrës për transplantim të qelizave staminale hematopoietike në Klinikën Universitare për Hematologji.
Gjatë viteve të fundit ky institucion ka treguar se si duhet punuar në interes të pacientëve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor. Klinika e hematologjisë investoi njëkohësisht në përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve, si dhe në përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve shëndetësorë.
Përveç rinovimit të objektit, këtu për herë të parë filluan të kryhen edhe transplante të qelizave staminale nga një dhurues i palidhur. Transplantet u kanë dhënë një shans të ri jetës pacientëve me sëmundje hematologjike malinje.
Vetëm pak javë më parë u vu në përdorim Qendra e sapondërtuar e Transplantit të Qelizave Staminale Hematopoetike, e cila përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme në shëndetësinë publike.
Tashmë Klinika e Hematologjisë është vendosur në krye të qendrave më të rëndësishme për trajtimin e sëmundjeve hematologjike në rajon. Jam i kënaqur që kemi ofruar trajtimin mjekësor më bashkëkohor dhe më të mirë për pacientët.
I shpreh mirënjohjen time drejtorëve të këtij institucioni, dr. Irina Panovska Stavridis dhe Flutim Kadriu, anëtarëve të Qeverisë, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e këtij investimi të rëndësishëm.
Ju inkurajoj që të vazhdoni punën tuaj profesionale, në Ministrinë e Shëndetësisë keni një partner të sinqertë për forcimin e sektorit të shëndetësisë. Së bashku mund të sjellim rezultate pozitive!“, deklaroi Demiri.