“Unë dhe çdo njeri, nuk ka njeri të tillë që nuk do që punëtorët që punojnë sipas ligjit dhe kushtetutës të kenë rrogë më të lartë dhe standard më të lartë dhe si njeri i parë në Qeveri do të bëj çmos që të krijoj kushte që punëdhënësit t'i paguajnë ata punëtorë që punojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës më shumë se sa i paguajnë tani. Unë dhe njerëzit që janë pjesë e Qeverisë do të bëjmë gjithçka. Askush nuk duhet të ketë dilemë për këtë”, deklaroi Hristijan Mickoski në pjesëmarrjen e tij në emisionin “PËR apo KUNDËR” në TV Alfa, duke folur për insistimin e sindikatave për rritjen e pagës minimale.
Ai shtoi se kjo qeveri ka trashëguar një buxhet katastrofik nga e kaluara ku nuk ishin planifikuar mjete për paga në ndërmarrje të caktuara dhe pagesën e pensioneve, por përkundër kësaj, me ribalancimin, këto situata janë tejkaluar.
“Kemi trashëguar një gjendje ashtu siç e kemi trashëguar, shumë të keqe, katastrofike. Katastrofa është kompliment, poezi në krahasim me atë që kemi trashëguar. Me një vrimë të madhe buxhetore, me para që nuk ishin planifikuar, mungonin etj. Në kuadër të rritjes së të hyrave, do të kërkojmë një mënyrë për t'ua mundësuar këtë punëtorëve që janë, do të thosha rezultat i punës së buxhetit, gjegjësisht të gjithë ata që janë në administratë etj.”, theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Është e pamundur në këtë moment, por atë që kemi mundur e siguruam. Kemi siguruar rrogë për punëtorët e “Pyjeve Nacionale” që nuk kanë marrë rrogë prej muajsh, kemi siguruar rrogë për punonjësit e SHA “Ujësjellësi” që nuk kanë marrë rrogë prej muajsh, kemi siguruar rreth 5 miliardë për pensionistët, jo në bazë të rritjes lineare dhe jo siç ishte deri më tani në përqindje por lineare prej 2500 denarë këtë shtator dhe 2500 denarë marsin e ardhshëm. Për pagesën e rregullt pa këtë rritje kanë munguar 5 miliardë denarë”.