Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Pavle Trajanov, u takua sot me Edi Grif, këshilltarin rajonal të Bashkimit Evropian për luftën kundër terrorizmit/sigurisë me seli në delegacionin e BE-së në Sarajevë. Në takim morën pjesë edhe Hristo Tonçev, këshilltar politik në Delegacionin e BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues nga institucionet tjera që marrin pjesë në Komitetin Nacional për PEDH/LKT.
Në takim u diskutua për aktivitetet që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, risocializimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve pjesëmarrës në ushtritë e huaja, formacionet paraushtarake, si dhe ngritjen dhe efikasitetin e sistemit për luftën kundër terrorizmit.
Këto aktivitete përfshijnë 22 institucione me mbështetjen e SHBA-së, OSBE-së, Këshillit të Evropës si dhe disa shteteve të tjera dhe fondacioneve ndërkombëtare, një numër të madh të organizatave joqeveritare, komuniteteve fetare dhe aktorë të tjerë.
Vlerësimi i përbashkët është se Republika e Maqedonisë së Veriut i zbaton plotësisht Strategjitë nacionale të miratuara për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe luftën kundër terrorizmit, planet e veprimit dhe prioritetet tjera në përputhje me kompetencat.
Republika e Maqedonisë së Veriut gjithashtu zbatoi planin e përbashkët të veprimit për luftën kundër terrorizmit në Ballkanin Perëndimor.