Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Studion e Hapur të RTVM-së me temë “Buxheti 2025”, duke folur për pensionet dhe SPIM, theksoi se qëndrimi i Qeverisë është se nuk do të ketë rritje të kufitit të moshës për pensionim dhe se problemet janë identifikuar, Qeveria po vepron dhe se buxheti i ri ka komponentë zhvillimore, ndërsa treguesit pritet të jenë edhe më të mirë.
“Thelbi është se ne përmes këtij sistemi të detyrueshëm të pensioneve me dy shtylla, kjo “vrimë” në shtyllën shtetërore të pensioneve do të vazhdojë të zgjerohet deri diku rreth vitit 2030 dhe më pas, kur të fillojë pagesa më dinamike nga shtylla e dytë, situata do të ndryshojë. Ne, si Qeveri, kemi edhe një opsion të dytë, siç kanë bërë Polonia, Hungaria dhe vendet Baltike – të nacionalizojmë gjithçka dhe të jetë vetëm shtetërore. Miratohet një ligj, nacionalizohet shtylla e dytë dhe “vrima” do të zhduket, por, a është kjo masa e duhur ka mendime të ndryshme. Disa thonë që duhet, të tjerë thonë jo dhe në gjendjen në të cilën ndodhemi, mund të themi se vrima do të thellohet, popullsia po plaket, kontributet janë ato që janë, dhe pensionet janë ato që janë,” tha kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se lidhur me këtë temë, një çështje tjetër është reforma për mënyrën se si Qeveria do t’i trajtojë transfertat sociale, a do të bëhet një reformë për përfituesit, veçanërisht ata të ndihmës sociale që marrin përfitime në bazë të disa ligjeve, a do të krijohet një regjistër i unifikuar për të identifikuar përfituesit e gjallë, sepse ka përfitues që nuk janë më gjallë ose janë shpërngulur prej kohësh.
“Duhet bërë kjo reformë. Ka qytete ku numri i përfituesve të ndihmës sociale ose paguhen kontribute për persona të pasiguruar është më i madh se numri i banorëve. Kemi trashëguar të tilla paradokse,” theksoi Mickoski.
Kryeministri nënvizoi se Qeveria aktuale nuk i lë gjërat siç kanë qenë, por është e angazhuar në zgjidhjen e problemeve.
“Nuk do të dorëzohemi, do të punojmë, i kemi identifikuar qartë problemet dhe kemi thirrur në përgjegjësi disa të punësuar në qendrat për punë sociale. Kjo situatë duhet të përmirësohet, nuk do ta lëmë ashtu siç ka qenë deri tani. Po veprojmë, dhe mendoj se shumë shpejt do të ndihen rezultatet, treguesit janë më të mirë dhe do të bëhen edhe më të mirë,” përfundoi Mickoski.