INTERVISTË E “FAKTOR” ME KRYEMINISTRIN MICKOSKI: Bizneset e ndershme të mos shqetësohen, do të minimizojmë ndikimin e kontrolleve të TVSH-së, ato janë të nevojshme dhe përmes tyre janë zbuluar shumë mashtrime

Gjysmë viti pasi u zgjodh, sa arriti të përmbushë pritjet e qytetarëve Qeveria e udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski.A u solli çmime më të ulëta dhe paga më të larta, sa do të jetë e suksesshme shporta e Vitit të Ri, nëse dhe kur mund të presim një standard më të lartë jetese, si do ta trajtojë “gështenjën e nxehtë” të quajtur marrëveshja me Behtell dhe Enka, si  planifikon të çrrënjos korrupsionin,por edhe tejkalimin e problemeve të nxehta në politikën e jashtme që i kemi përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, në  intervistën për Faktor, përgjigjet i pari i qeverisë maqedonase, Hristijan Mickoski.

Promovuat shportën konsumatore të Vitit të Ri, përmes së cilës çmimet e 800 produkteve duhet të ulen me rreth 10 për qind dhe me të cilën, siç thatë ju, qytetarët do të kenë tavolina të plota festive. Por ky veprim është vullnetar, pra cila do të ishte garancia që prodhuesit dhe tregtarët do t'i përmbahen premtimeve dhe a nuk keni frikë nga ajo që paralajmëroi Sindikata, se tregtarët fillimisht do t'i rrisin, pastaj nga 15 dhjetori do t'i ulin çmimet?

Mickoski: Para së gjithash, jam shumë i kënaqur që për herë të parë si Qeveri kemi arritur të sigurojmë konsensus gjatë marrjes së vendime të tilla. Dialogu social është kyç në një shoqëri demokratike, ne udhëhiqemi nga ato mekanizma që nuk do të kenë karakter represiv, por së bashku do të sigurojmë kushte më të mira për qytetarët tanë. Kjo nismë siç e quani ju shporta konsumatore e Vitit të Ri ka për qëllim të sjellë lehtësim të prekshëm për qytetarët gjatë sezonit festiv, duke ulur me 10% çmimet e mbi 800 produkteve bazë. Natyra vullnetare e kësaj mase qëndron në vullnetin e mirë dhe përgjegjësinë e prodhuesve dhe tregtarëve, të cilët u përfshinë aktivisht në diskutimet që çuan në këtë masë.

Për të siguruar respektimin e nismës, si Qeveri kemi ndërmarrë disa hapa, duke filluar me transparencën dhe monitorimin ku synojmë të krijojmë një mekanizëm gjithëpërfshirës për  monitorimin e ndryshimeve të  çmimeve dhe për të siguruar që uljet janë reale.Do të kryhen kontrolle për të parandaluar praktikat e mundshme manipuluese. Për më tepër, ne i kemi inkurajuar vazhdimisht bizneset që të ruajnë transparencën përmes  obligimit publik për nismën.

Ata që do të përmbahen do të njihen si kontribues për përgjegjësisë sociale, ndërsa konsumatorët do të kenë qasje në informacione rreth tregtarëve pjesëmarrës. Kuptohet, për shqetësimin dhe mundësinë e rritjes së çmimeve para uljes, Qeveria ka paralajmëruar në mënyrë eksplicite se praktika të tilla do të monitorohen dhe do të shqyrtojmë mënyrat për ta anuluar këtë. Por, i  rëndësishëm  është fokusi ynë kryesor - të ndihmojmë familjet të festojnë sezonin e festave pa ngarkesa financiare.

Kjo masë me siguri mund të them se është pasqyrim i përpjekjeve të përbashkëta ndërmjet Qeverisë, komunitetit të biznesit dhe konsumatorëve. Edhe pse është vullnetar, ajo shërben si një test lakmus për përgjegjësinë sociale korporatative dhe ne jemi optimistë për suksesin e saj.

Zoti Kryeministër, deklarata juaj e fundit lidhur me marrëveshjen me Bechtel dhe Enka ishte se ende qëndroni në qëndrimin se ajo marrëveshje është kriminale, por që, për të mos humbur më shumë para shteti, do të punoni që ky projekt të ndërtohet. A mund të shpjegoni më saktësisht se çfarë po ndodh në këtë drejtim, a do të ketë dhe kush do të mbajë përgjegjësi, dhe sa Maqedonisë do ti kushtojë Marrëveshja për Korridoret 8 dhe 10D me këtë konsorcium?

Mickoski: Qeveria e ka trashëguar marrëveshjen, dhe qëndrimi ynë për natyrën e saj problematike dhe mënyrën se si kjo marrëveshje është keqpërdorur mbetet i pandryshuar. Vazhdimisht theksojmë se kjo marrëveshje përmban klauzola që janë të pafavorshme për shtetin, mungon transparenca dhe hap çështje të rëndësishme për gjithë procesin. Megjithatë, përgjegjësia jonë kryesore tani është të veprojmë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe shtetit, duke balancuar llogaridhënien me nevojën për të shmangur humbje shtesë financiare.

Zgjodhëm të vazhdojmë me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10D, sepse këto projekte infrastrukturore janë kyçe për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë dhe lidhjen rajonale. Vonimi ose anulimi i plotë i projektit do të impononte dënime të rënda financiare për shtetin për shkak të detyrimeve kontraktuale, gjë që mund të ngarkonte akoma më shumë qytetarët maqedonas.

Ne jemi të angazhuar ti thërrasim përgjegjësit ata që kanë vepruar gabimisht. Nëse dalin prova për korrupsion ose aktivitete kriminale, personat e përfshirë – pavarësisht nëse janë nga Qeveria e mëparshme ose nga ndonjë tjetër institucion – do të përballen me drejtësinë. Qasja jonë është ta ndajmë procesin juridik dhe procesin e përgjegjësisë nga nevoja operative për realizimin e këtyre projekteve strategjike.

Një nga hapat tanë të parë pas marrjes së funksionit ishte të kryejmë një verifikim të thelluar të marrëveshjes për të kuptuar implikimet e vërteta financiare. Edhe pse kostoja totale e projektit është e konsiderueshme, qëllimi ynë është të sigurojmë që të gjitha shpenzimet të kontribuojnë në zhvillimin e shtetit dhe të jenë subjekt i një monitorimi të rreptë.

Duhet të shikojmë përpara, të kujdesemi si Qeveri dhe të fokusohemi në realizimin e këtij projekti në mënyrë transparente. Kjo është pjesë e angazhimit tonë më të gjerë për të parandaluar implikime të ngjashme në të ardhmen përmes angazhimit të lartë për ta vënë  si prioritet transparencën në marrëveshjet e mëdha shtetërore.

Sipas paralajmërimeve, Qeveria do ta vendosë në krye të prioriteteve hekurudhën e shpejtë nga Hungaria, përmes Serbisë, Maqedonisë deri në Greqi. Duke qenë se kjo është një çështje shumë e rëndësishme që përfshin të gjithë rajonin, mund të na thoni më shumë detaje, deri ku jemi me këtë projekt dhe kur qytetarët tanë mund të fillojnë të shijojnë përfitimet e një zgjidhjeje të tillë transporti? Në këtë kontekst, deri ku kanë shkuar bisedimet me fqinjin lindor për hekurudhën drejt Bullgarisë?
 

Mickoski: Hekurudha e shpejtë që lidh Hungarinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Greqinë është vërtet një nga projektet më transformuese infrastrukturore për rajonin tonë. Kjo iniciativë do të përmirësojë ndjeshëm lidhshmërinë, do të nxitë tregtinë, do ta lehtësojë turizmin dhe do t'i forcojë pozitat e Maqedonisë si një qendër strategjike e tranzitit në Juglindjen e Europës. Qeveria e bëri këtë projekt një prioritet kryesor, duke e njohur potencialin për integrimin më të ngushtë të Maqedonisë në rrjetin rajonal dhe europian të transportit.

Ne jemi duke u koordinuar aktivisht me kolegët tanë në Serbi, Greqi dhe Hungari për të harmonizuar afatet, standardet teknike dhe strategjitë për financimin. Hekurudha e shpejtë është pjesë e iniciativës më të gjerë në kuadër të Agjendës për lidhjen e Bashkimit Europian, e cila ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor. Maqedonia është duke finalizuar studimet teknike dhe mjedisore për segmentin hekurudhor që do të kalojë në territorin tonë. Po ashtu, jemi duke punuar për sigurimin e financimit nga institucionet financiare ndërkombëtare, përfshirë Bankën Europiane për Investime dhe Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Edhe pse afatet konkrete varen nga progresi i bashkëpunimit rajonal dhe financimi, ne synojmë të fillojmë ndërtimin në vitet e ardhshme.

Këto iniciativa theksojnë angazhimin tonë për modernizimin e infrastrukturës së Maqedonisë, nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë.

Disa nga sipërmarrësit ankohen se ka vonesa në kthimin e TVSH-së, ndërkohë që shpjegimi nga autoritetet tatimore është se duhet të kryhen kontrollet e nevojshme, por gjithashtu janë identifikuar shumë përpjekje për manipulim nga disa kompani. Cila është gjendja e vërtetë?

Mickoski: Këto vonesa rrjedhin nga nevoja për rritjen e kontrolleve dhe revizioneve për të zgjidhur çështjet e mashtrimeve dhe manipulimeve, të cilat janë identifikuar. Qeveria e kupton frustrimin e bizneseve të ndershme që janë prekur nga këto vonesa dhe është e angazhuar për të minimizuar ndikimin e tyre. Hetimet zbuluan përpjekje nga disa kompani për të shfrytëzuar sistemin e TVSH-së përmes kërkesave të rreme ose praktikave të tjera mashtruese. Kontrollet e forcuara janë thelbësore për mbrojtjen e mjeteve publike dhe për të siguruar drejtësinë në sistemin tatimor. Administrata Tatimore po punon për modernizimin e proceseve të saj dhe për tu  përballuar me jo-efikasitetin e trashëguar në menaxhimin e rimbursimit të TVSH-së. Ne po zbatojmë masa për ta përshpejtuar kthimin e mjeteve për bizneset me dosje të provuar të përputhshmërisë.

Për kompani të tilla, rimbursimet do të përpunohen me një kontroll minimal, duke reduktuar vonesat. Duke përdorur teknologjinë, ne synojmë të automatizojmë shumë aspekte të përpunimit të TVSH-së, duke reduktuar gabimet njerëzore dhe jo-efikasitetin.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me komunitetin e biznesit për t'u përgjigjur shqetësimevetë tyre dhe për t'i përmirësuar proceset tona. Si Qeveri, ne jemi të përkushtuar që të krijojmë një mjedis të përshtatshëm për biznesin. Në të njëjtën kohë, ne kemi një përgjegjësi për të siguruar që mjetet publike të përdoren me përgjegjësi. Duke përmirësuar proceset dhe duke forcuar mbikëqyrjen, ne synojmë të ndërtojmë një sistem tatimor më të drejtë, më efikas që mbështet bizneset dhe ekonominë e gjerë.

Do t'ju bëja një pyetje, ndoshta jo aktuale, por shumë të rëndësishme për qytetarët e Maqedonisë. Aktualisht, standardi ynë i jetesës është vetëm 41% i atij që gëzon qytetari mesatar evropian. Nëse nuk ka turbulenca të mëdha gjeopolitike, sa kohë do t'ju duhej për të arritur të paktën një afrim më të madh me atë cilësi jetese?
Mickoski:
Çështja e përmirësimit të standardit të jetesës së qytetarëve të Maqedonisë nuk është vetëm një çështje ekonomike, por një përcaktim politik qendror i kësaj Qeverie. Siç e theksuat me të drejtë, standardi ynë aktual i jetesës është 41% i mesatares evropiane, dhe kjo thekson nevojën urgjente për strategji transformuese për ta përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për ta përmirësuar cilësinë e jetës.

Në gjashtë muajt e fundit që nga zgjedhja e saj, kjo Qeveri, është plotësisht e fokusuar në tejkalimin e pasojave negative nga një ekonomi e shkatërruar dhe e prapambetur. Trashëguam një industri në rënie, paga të pa paguara, ndërmarrje publike dhe shoqëri aksionare me pronësi të dominuar shtetërore në falimentim. Qeveria jonë vendosi një objektiv të qartë për rritje prej të paktën 3% të PBB-së çdo vit, siç u theksua në diskutimet dhe planet e fundit. Dhe këtu do të jap një shembull konkret se çfarë arritëm të bëjmë vetëm pesë muaj pas marrjes së pushtetit.

Sipas të dhënave të vlerësuara nga Enti Shtetëror i Statistikave, norma e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në tremujorin e tretë të vitit 2024, që përfshin muajt korrik, gusht dhe shtator, u rrit me 3.0%.

Vetëm pesë shtete anëtare të BE-së kanë një normë më të lartë rritjeje në tremujorin e tretë, dhe sa i përket rajonit, një normë më të ulët rritjeje në tremujorin e tretë kanë dy shtete anëtare të BE-së, ato janë Greqia dhe Bullgaria me 2,4%. Pastaj mund të them se, ndërkohë që rritja e PBB-së në BE mbeti modeste rreth 0,3-0,4% në katër muaj, projektet tona për rritjen e ekonomisë na vendosin në një pozicion më të fortë për të tejkaluar kolegët rajonalë dhe për të punuar për të mbyllur hendekun me standardet evropiane të jetesës.

Politika jonë ekonomike nuk lidhet vetëm me shifra – ajo është për ringjalljen e besimit dhe për vendosjen e bazës që shteti të kthejë rolin e tij si lider rajonal. Ne vazhdojmë me reformat për përmirësimin e transparencës publike, eliminimin e korrupsionit dhe krijimin e një ambienti ku mund të përparojnë si bizneset vendore ashtu edhe ato të huaja. Këto masa janë të dizajnuara për të siguruar që rritja ekonomike të kthehet drejtpërdrejt në përmirësimin e pagave, shëndetësisë, arsimit dhe cilësisë së përgjithshme të jetesës për të gjithë qytetarët.

Korrupsioni në vend është vazhdimisht i theksuar si një nga problemet kryesore. Si do ta luftoni atë ose të paktën ta zbutni, dhe mund të na shpjegoni edhe një herë se si do të realizohet aksioni i fuqishëm në sistemin e drejtësisë që e keni paralajmëruar, kur do të fillojë dhe si përgjigjeni ndaj komenteve që thonë se kjo mund të përbëjë presion mbi organet e drejtësisë?

Mickoski: Korrupsioni është një çështje e vazhdueshme dhe një pengesë e rëndësishme për rritjen ekonomike, besimin e publikut dhe integrimin në BE. Kjo qeveri është e angazhuar për tu ballafaquar  drejtpërdrejt me  korrupsionin, si përmes reformave sistematike, ashtu edhe përmes veprimeve të vendosura. Një nga hapat e parë është forcimi dhe depolitizimi i institucioneve. Kjo përfshin sigurimin që të gjitha organet të punojnë në mënyrë të pavarur dhe që të mos ketë më individë që do të shfrytëzojnë pushtetin ose pozitat e tyre për të porositur vendime dhe për të ndërtuar raste.

Rritja e transparencës përmes digitalizimit të shërbimeve publike është një pjesë kyçe e strategjisë sonë. Duke reduktuar diskrecionin burokratik në procese si tenderët publikë, do të arrijmë të minimizojmë mundësitë për korrupsion, dhe pa dyshim do të harrojmë praktikat e nënshkrimit të marrëveshjeve në katër sy.

Aksioni i fuqishëm i paralajmëruar në sistemin e drejtësisë përfshin reforma gjithëpërfshirëse, duhet të ketë një sistem që do të funksionojë, të ketë përgjegjësi për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk i përmbushin standardet etike ose përfshihen në praktika korrupsioni. Nuk e kuptoj shqetësimin se këto reforma mund të interpretohen si presion mbi sistemin e drejtësisë. Megjithatë, qasja jonë është e rrënjosur në respektimin e sundimit të ligjit dhe qëllimi ynë është të forcojmë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, dhe jo ta komprometojmë atë.

Për të çrrënjosjen e  korrupsionit, do të duhet kohë, por angazhimi ynë për të ndërtuar një sistem më përgjegjës është i palëkundur. Ne kemi detyrim të plotësojmë pritshmëritë e qytetarëve tanë.

Keni njoftuar  për tre faza të përcaktuara për një zgjidhje të mundhshme për problemin me Bullgarinë – një aksion të fuqishëm diplomatik, nxjerrjen në pah të së vërtetës dhe zgjidhjen e problemeve brenda vendit. Këto ditë keni pasur takime intensive diplomatike me zyrtarë evropianë dhe amerikanë.

A ndjeni ndoshta se presioni është më shumë në anën tonë? Sidomos duke ditur se pala tjetër ka mekanizmin e pakontestueshëm - veton, të cilin e përdori para disa ditësh për të bllokuar Serbinë? Besoni se këto tri faza të përcaktuara do të rezultojnë në zhblokimin e rrugës së Maqedonisë drejt Evropës?

Mickoski: Takimet e fundit me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë e forcuan rëndësinë e dialogut. Megjithatë, diplomacia në këtë rast nuk është për t'u dorëzuar nën presionin, por për t'u angazhuar aktivisht me partnerët tanë ndërkombëtarë për të siguruar që perspektiva e shtetit të kuptohet. Theksuam gatishmërinë tonë për të punuar në mënyrë konstruktive, përderisa procesi respekton sovranitetin dhe identitetin tonë kombëtar. Ndërkohë që Bullgaria mban mekanizmin e vetos, përpjekjet tona janë të përqendruara në demonstrimin se integrimi evropian është një nevojë strategjike për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.

Po e shfrytëzojmë mbështetjen e aleatëve tanë që e pranojnë se çështjet bilaterale nuk duhet t'i dëmtojnë qëllimet më të gjëra të BE-së. Zgjidhja e çështjeve të brendshme – e njeh rëndësinë e forcimit të unitetit kombëtar dhe stabilitetit të brendshëm. Aktualisht po punohet për Udhërrëfyesin për Sundimin e së drejtës dhe Reformën në Administratë, të cilat janë baza për hapjen e klasterit të Fundamenteve. Pres që këta udhërrëfyes të përfundojnë në muajt në vijim dhe me këtë vendi ynë do të jetë i gatshëm formalisht dhe ligjërisht për hapjen e këtij klasteri.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, kemi shprehur shumë qartë qëndrimin tonë, dhe ai është se kemi gatishmërinë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por mesazhi është i qartë, miratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk duhet të shërbejë vetëm për hapjen e procesit. Ne duhet të dimë se ky proces do të përfundojë dhe kur. Me këtë, synojmë të sigurojmë procesin nga fillimi deri në përfundimin e negociatave. Insistojmë për këtë, sepse në rast të një bllokade të mëtejshme, shpresa e qytetarëve do të humbasë në masë të madhe dhe do të jetë e vështirë të bindim qytetarët se një ditë do të përfundojmë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë fort se këto tri faza, të realizuara me përpikëri dhe vendosmëri, do të rezultojnë me përparim.

Mbështetja nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së është kyçe, dhe ne vazhdojmë të angazhohemi për një qasje të drejtë dhe të bazuar në merita për anëtarësimin.

Qëllimi ynë nuk është vetëm të zhblokojmë rrugën e Maqedonisë drejt Evropës, por ta bëjmë këtë me dinjitet dhe respekt, duke siguruar një të ardhme në të cilën do të ruhet identiteti ynë dhe populli ynë do të përfitojë nga mundësitë që ofron integrimi evropian.