Mickoski: Vazhdojmë të punojmë për përparimin ekonomik, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe integrimin evropian, viti 2025 do të jetë vit i zhvillimit, rritjes dhe një jete më të mirë për të gjithë

"Të nderuar bashkëqytetarë, të dashur miq,

Kaloi edhe një vit pas nesh.

Viti 2024 ishte vit i rrethanave të rënda dhe serioze jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë botën. Luftërat në më shumë rajone, tragjedia e viktimave dhe të plagosurve, impakti ekonomik i gjithë asaj, si dhe taksat dhe efektet e veprimeve të politikanëve të papërgjegjshëm tek ne, që i jetuam dhe ende i jetojmë të gjithë.

Viti 2024 ishte vit kur qytetarët zgjodhën se çfarë të ardhme duan dhe zgjodhën me vendosmëri dhe bindje si kurrë më pare, që Maqedonia të jetë sërish e tyre. Ajo fitore nuk ishte vetëm numër, ajo ishte një mandat i qartë nga populli për një rrugë të re dhe vizion të ri. Ju siguroj se ne e respektojmë dhe e ruajmë atë besim dhe çdo ditë punojmë pa u lodhur për të realizuar premtimet që i dhamë dhe ne këtë betim dhe përgjegjësi nuk e harrojmë.

Si Qeveri, trashëguam një shtet që po fundosej në krim dhe mosfunksionim, një shtet që përballej me probleme serioze, kurse turbulencat dhe sfidat ekonomiko-sociale dhe institucionale morën shumë kohë dhe energji.

Ndoshta për dikë gjërat nuk shkonin me shpejtësinë e dëshiruar, por ju siguroj se kjo është rruga e vetme dhe gjithçka është punë e një plani të mirëmenduar, sipas të cilit, të vetëdijshëm për pritshmëritë tuaja, do t’i realizojmë premtimet dhe do të bëjmë atë që prisni nga ne, atë për të cilën na keni zgjedhur.

Hap pas hapi, ecet rruga e mijëra miljeve dhe besoni se nuk ka rrugë më të shkurtër, por ka vetëm rrugë të drejtë dhe hapa të duhur. Dhe ajo që ne po bëjmë është pikërisht një ecje e tillë, në rrugën drejt qëllimit të përbashkët.

Në këto 6 muaj kemi bërë një sërë hapash që e stabilizuan ekonominë dhe që çuan në rritjen e dëshiruar prej 3%, që më parë, madje edhe në projektimet e Bankës Botërore, ishte e paarritshme. Vitin e ardhshëm planifikojmë një rritje edhe më të madhe, presim një përparim të konsiderueshëm në këtë pjesë dhe lajme të bukura, efekte që do t’i ndiejnë të gjithë qytetarët.

I rritëm pensionet në mënyrë lineare për dy mijë e pesëqind denarë, ndërsa në mars do të pasojë një rritje tjetër prej dy mijë e pesëqind denarë. Arritëm rritje të pagave në arsim për të paktën 46% në katër vitet e ardshme, ndërsa në shëndetësi ato tashmë u rritën për 10% dhe në vitet e ardhshme do të rriten për 40 deri në 50%. Po punësojmë 300 mjekë të rinj dhe specializantë. Ka filluar një mega projekt për realizimin e projekteve kapitale për komunat prej 250 milionë euro, për ndërtimin e kopshteve, shkollave, sallave sportive, ujësjellsave. Siguruam 250 milionë euro për zhvillimin e ekonomisë me një kamatë super të ulët prej 1.95% dhe kemi mbështetje dhe çmim historik të blerjes për prodhuesit e duhanit, prodhuesit e orizit dhe bujqit e tjerë. 

Arritëm një rekord në tërheqjen e investimeve të huaja prej mbi 1 miliard euro dhe siguruam 8 investime të reja të huaja që do të krijojnë 2800 vende të reja pune dhe shumë, shumë projekte të tjera. Hapëm gjithashtu një front për luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me prova, hap pas hapi, por me vendosmëri.

Kemi edhe shumë punë. Me ritëm akoma më të shpejtë dhe me veprim akoma më të vendosur.

Viti 2025 do të jetë vit i rritjes, zhvillimit dhe jetesës më të mirë për të gjithë.

Do të jemi të fokusuar në më shumë fusha, por prioritare do të jenë 3 tema.

1. Rritje dhe zhvillim ekonomik dhe social, si dhe standard më i lartë. Më shumë para për të gjithë.

2. Krijim i rendit dhe sistemit, forcim i institucioneve dhe luftë kundër korrupsionit, duke i zgjidhur në të njëjtën kohë të gjitha defektet e mbetura të korrupsionit në sistem në të gjitha nivelet, si dhe mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tyre.

3. Integrim në BE dhe zbatim i reformave për anëtarësim në BE edhe nëse ekzistojnë sfida për fillimin e negociatave, të cilat hap pas hapi do të përpiqem t’i kapërcejmë.

Për këto tre tema do të punojmë maksimalisht me një plan dhe afat kohor të mirëmenduar të aktiviteteve.

Në vitin 2025 do të vihet në përdorim rruga eksprese Kumanovë-Kriva Pallankë, si dhe rruga Gradsko-Prilep. Do jetë gati faza e parë e hekurudhës drejt Bullgarisë, ndërsa intensivisht dhe pa ndalesë do të vazhdojnë ndërtimet e autostradave Gostivar-Bukojçan, Prilep-Manastir dhe Kërçovë-Ohër. Do të fillojmë ndërtimin e autostradës Tetovë-Gostivar. Pagat do të rriten në më shumë fusha, si dhe pensionet.

Do të sigurojmë vauçerë prej 250 euro për pajisje elektronike për të gjithë studentët, si dhe kredi të lira për të rinjtë deri në 30 mijë euro. Do të ketë projekte dhe masa për të gjithë qytetarët, maqedonas, shqiptarë, turq, romë, serbë, vlleh, boshnjakë dhe të tjerë. Do të punojmë për të gjithë me përkushtim dhe përgjegjësi, për një jetë më të mirë dhe më cilësore për ju.

Viti 2025 do të jetë vit i shpresës, optimizmit, sukseseve dhe shumë punë!

Do të punojmë fort dhe me përkushtim në vitin 2025 që t'ia dalim ta ndërtojmë Maqedoninë ashtu siç e dëshironi të gjithë ju qytetarët dhe ashtu siç e meritojmë të gjithë ne së bashku. 
Maqedoni e cila do të jetë përsëri e juaja!

Gëzuar dhe suksese në Vitin e Ri, plot shëndet, lumturi dhe shumë dashuri!

Zoti e bekoftë Maqedoninë dhe qytetarët e saj."