Mickoski: Ndërtimi i rrugës së shpejtë Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin do të thotë zhvillim më i shpejtë ekonomik, lidhje dhe bashkëpunim më i fortë midis rajoneve, qoftë me fat

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar përfaqësues të Bankës Botërore dhe partnerëve ndërkombëtarë,

Të nderuar anëtarë të qeverisë, deputetë, kryetarë komunash, të pranishëm të nderuar, më falni nëse kam harruar dikë.

Me nderim dhe kënaqësi të veçantë, sot jemi këtu për të shënuar këtë moment të rëndësishëm – hapjen solemne të rrugës së shpejtë Kriva Pallankë – Dllaboçicë – Stracin.

Ky projekt infrastrukturor, me gjatësi prej 25.55 kilometra, paraqet jo vetëm një sukses të padyshimtë ndërtimor, por edhe simbol të vizionit tonë për një Maqedoni moderne dhe të lidhur.

Projekti që sot po e vëmë në përdorim është rezultat i një pune të palodhur, përkushtimi të fortë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët tanë nga Banka Botërore, të cilët përmes një huamarrje dhe granti, në vlerën e përmendur nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, ofruan mbështetje të madhe për realizimin e tij.

Të gjitha këto detaje teknike u përmendën nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore. Unë, do të doja të përmend disa aspekte të tjera që ndoshta nuk u përmendën.

Më lejoni të falënderoj secilin punëtor që gjatë këtyre pesë muajve ka dhënë një pjesë të jetës dhe energjisë së tij për këtë segment të rrugës, çdo atom energjie që është investuar në këtë asfalt, në të cilin sot po ecim dhe shumë shpejt do ta ngasim me makina. Këta njerëz meritojnë një duartrokitje të madhe, sepse për ta kjo ka shumë rëndësi.

Gjithashtu, dua të falënderoj personalisht njerëzit e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe drejtorin Koce Trajanovski, të cilët ishin çdo ditë në terren, duke informuar mbi progresin e punimeve dhe duke dërguar fotografi. Punimet vazhduan edhe gjatë natës, edhe kur binte shi apo borë. Për këtë arsye, atyre njerëzve dua t’u them një falënderim të madh nga ana ime dhe në emër të Qeverisë për gjithçka që kanë bërë gjatë kësaj periudhe të shkurtër edhe pse, siç tha drejtori, në muajin korrik nuk kishte as edhe një centimetër katror asfalt, ndërsa sot po e shohim të gjithë seksionin e përfunduar. Ju përgëzoj dhe ju uroj fat në përdorimin e kësaj rrugë.

Bashkëpunimi me anëtarët e Qeverisë, me zëvendëskryeministrin, ministrin e Transportit, ministren e Financave dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në këtë projekt ka qenë vërtet intensiv në baza ditore. Një nga temat kyçe që diskutuam çdo ditë ishte pikërisht kjo rrugë nga Stracini, Çatalli, përmes Dllaboçicës deri në Kriva Pallankë dhe për këtë arsye, në një kohë kaq të shkurtër, kjo energji u krijua dhe u realizua.

Megjithatë, duhet të theksoj se sot kishte edhe nga ata që u përpoqën ta shfrytëzonin këtë rast për promovim politik, duke pretenduar se kur ishin në pushtet, ata e kishin nisur këtë projekt rrugor, fatkeqësisht, iu deshën gjashtë vjet dhe për shkak të bllokadave nga VMRO-DPMNE nuk arritën ta realizonin edhe pse nuk e di çfarë i ndaloi VMRO-DPMNE që të vendosnin të paktën një centimetër katror asfalt dhe në vend që t’u kërkojnë falje qytetarëve për dështimin e tyre gjatë këtyre gjashtë viteve, ata sot nxituan për të mbledhur pikë politike.

Dëshiroj t'u them qytetarëve që do ta përdorin këtë rrugë, se kjo nuk është rrugë as e LSDM-së, as e VMRO-DPMNE-së dhe as e ndonjë opsioni tjetër politik. Kjo është rruga e qytetarëve dhe është rrugë që do të mbetet për qytetarët. Kredia e marrë nga institucionet financiare do të paguhet me paratë e qytetarëve, prandaj askush nuk ka të drejtë ta përvetësojë, askush nuk ka të drejtë të thotë se kjo është rruga e ti, kjo është rruga juaj, e qytetarëve dhe ju uroj ta përdorni me fat.

Dua të them se me të njëjtën dinamikë do të vazhdojmë edhe në të ardhmen për të punuar në akse të tjera. Së shpejti do të marrim pjesë në inaugurimin e një aksi tjetër, pjesë e një korridori tjetër – Korridori 10D, pastaj, do të përfundojë aksi i parë i hekurudhës, që gjithashtu është premtuar me dekada. Ndërtimi i autostradave që janë pjesë e Korridorit 8 dhe Korridorit 10 është përshpejtuar dhe intensifikuar, duke përfshirë segmentet nga Gostivari në Bukojçan, nga Kërçova në Ohër dhe nga Prilepi në Manastir, etj.

Diçka që për shtatë vjet ishte në stagnim, diçka që kishte një fund të pasigurt, brenda këtyre muajve ka fituar një dinamikë të re dhe falë kësaj dinamike, shohim se këto akse rrugore po përfundojnë, me punëtorë të motivuar, të punësuar të përkushtuar të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, një ministër i motivuar, së bashku me anëtarët e qeverisë që ndihmuan çdo ditë për ta përfunduar gjithë këtë.

Dëshiroj të them se do të vazhdojmë të punojmë me energji të pandërprerë, me një përkushtim të madh për të mirën e qytetarëve në të gjithë territorin e Maqedonisë sonë të bukur. Nuk ka lindje, perëndim, veri apo jug për ne. Përparësi janë si Kriva Pallanka, Dellçeva, Berova dhe Pehçeva, ashtu edhe Dibra, Tetova, Prilepi, Gostivari, Manastiri dhe çdo qytet tjetër, nga Kumanova deri në Gjevgjeli, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

Sepse shumë gjëra janë lënë pas dore gjatë shtatë viteve të fundit. Shumë gjëra janë humbur dhe ne duhet të bëjmë hapa të mëdhenj për t'i kompensuar ato. Çdo gjë që është humbur dhe mbetur pas në këto shtatë vite duhet ta rikuperojmë brenda muajve, javëve, dhe ditëve. Nuk ka më hapësirë për improvizime, kjo është ajo që na frymëzon, ky është qëllimi ynë dhe obligimi ynë ndaj qytetarëve dhe kjo është ajo që ata na kanë besuar në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në muajin maj të vitit të kaluar.

Ne nuk duhet dhe nuk mund ta humbasim këtë besim. Duhet të punojmë dyfish më shumë për të dëshmuar se gjithçka që kemi premtuar do ta realizojmë. Dhe unë ju premtoj se do ta realizojmë.

Faza e parë e stabilizimit nga rënia e lirë ka përfunduar. Mund të them se situata në institucione po stabilizohet, ngadalë por sigurtë. Tani, synimi ynë i rradhës është të arrijmë sa më shpejt deri në gjendjen e pikës zero.

Ne ende nuk kemi arritur në pikën zero, por pres që kjo të ndodhë diku në muajin mars ose prill, e madje edhe pas kësaj do të mund ta shohim zhvillimin e vërtetë të atdheut tonë, kjo është një periudhë që na pret dhe do të jetë një periudhë me shumë gëzime, me projekte të shumta të suksesshme dhe me politika të reja që do të na bëjnë sërish një vend lider në Ballkan dhe një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë. Ky është qëllimi ynë dhe këtë e tregojnë treguesit e parë.

Më gëzojnë të dhënat nga Banka Popullore, të cilat tregojnë se sigurt e kalojmë shifrën prej një miliardë euro investime të drejtpërdrejta të huaja, duke u bërë kështu, sipas kokës për banor, destinacioni më i madh për investimet e huaja në rajon. Më shumë se një miliardë, diçka që dikur dukej si një mision i pamundur, tani, në këto shtatë muaj që kjo qeveri është zgjedhur, po arrihet. Fillojmë të rikthehemi në ekonomi, rritja prej 3% në tremujorin e tretë nuk do të më befasojë nëse arrijmë deri në 4% në tremujorin e katërt dhe kështu të vazhdojmë në vitin 2025.

Këto projekte, kreditë e lira për operatorët ekonomikë, që fillojnë nga muaji janar, me interes të favorizuar prej 1.95%, me grejs periudhë prej 3 vitesh dhe afat të shlyerjes deri në 15 vjet, po bëhen realitet atë që dikur thonin se ishte një mision i pamundur, tani është një realitet dhe shumë surpriza të tjera të këndshme po vijnë për qytetarët dhe bizneset.

Sepse detyra jonë është të krijojmë, ndërsa detyra e të mëparshmëve ishte të shkatërronin – kjo është diferenca mes kësaj qeverie të udhëhequr nga koalicioni "Maqedonia yte" dhe e VMRO-DPMNE-së, ku pjesë përbërëse janë partnerët e koalicionit, koalicioni "Vlen" dhe partia e koalicionit "ZNAM" dhe ajo qeveria e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së. Vazhdojmë të realizojmë gjithçka që kemi premtuar dhe do ta dorëzojmë për qytetarët. Bëhuni të bindur për këtë.

Edhe një herë, më lejoni t'ju uroj të gjithëve Gëzuar Festat e Vitit të Ri dhe Krishtlindjet, ju uroj mbi të gjitha shëndet të mirë, lumturi dhe begati për ju dhe familjet tuaja dhe të gëzohemi me shumë projekte të tilla në muajt dhe vitet që vijnë.

Ju faleminderit dhe Zoti e bekoftë Maqedoninë tonë!