Mickoski: Mbetemi të përqendruar në realizimin e projekteve që do të sjellin kujdes më cilësor për shëndetin e qytetarëve

Mirëdita edhe nga unë,

Nuk kam çfarë të shtoj më shumë përtej asaj që thanë folësit e mëparshëm, pasi të dy janë profesionistë dhe kompetentë për të dhënë një vlerësim mbi atë që po punohet.  

Unë mund të jap mendimin tim politik që ne si Qeveri do të vazhdojmë të veprojmë për të mirën e qytetarëve, gjithçka që në të kaluarën është lënë pas dore, është harruar, qëllimi i kësaj Qeverie, i ministrit dhe i drejtorëve në shëndetësi është të krijojnë vlerë të shtuar, të bëjnë më shumë, në mënyrë që qytetarët të kenë kushte dinjitoze, të tilla siç meritojnë dhe persona të motivuar që do të kujdesen për shëndetin e tyre.  

Kemi punuar shumë edhe në drejtim të nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive, e përgëzoj ministrin, drejtorin e Fondit dhe të gjithë ata që morën pjesë në atë proces, përfshirë edhe ministren e financave, sepse u nënshkrua një marrëveshje që më parë nuk ishte bërë kurrë me Sindikatat dhe vlerësoj se në këtë mënyrë motivimi te punonjësit shëndetësorë do të jetë edhe më i madh.  

Përgëzoj të gjithë të përfshirët që e bënë këtë objekt këtu të duket kaq përfaqësues. Ministri përmendi cilat janë objektet e ardhshme që do të vihen në funksion në periudhën e ardhshme.  

Mbetemi të përqendruar në realizim, sepse kjo është ajo që qytetarët presin nga ne.  

Pres që tashmë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm të shpallim edhe disa projekte të tjera kyçe dhe të mëdha në fushën e shëndetësisë, të cilat do të përfundojnë me sukses. Ende jemi në fazën e negociatave, por mendoj se do të ketë surpriza të këndshme për qytetarët.  

Të përfundoj, përgëzoj ministrin, drejtoreshën dhe të gjithë të kyçurit në këtë projekt. Këtu është edhe drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, ministria e financave, njësia projektuese, me një fjalë të gjithë ata që ishin të përfshirë. Dhe të dëshirojmë që edhe shumë objekte të tilla të rinovuara të na realizohen në të ardhmen, të cilat do të sjellin kujdes më cilësor për shëndetin e qytetarëve.