Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Të nderuar anëtarë të këtij trupi,
Përfaqësues të mediave, shkëlqesitë e Juaja,
Të dashur bashkëqytetarë,
Me seancën e sotme, e konstituojmë Trupin Ndër-resorial për koordinimin e aktiviteteve kundër korrupsionit. Ky trup paraqet një hap përpara në përpjekjen që përfundimisht të themelojmë një sistem funksional dhe të sinkronizuar që do t’i ndalet në rrugë korrupsionit.
Mirëpo më lejoni menjëherë ta bëjë të qartë:
Ky trup nuk do të jetë vetëm edhe një konstruksion administrativ.
Ne jemi këtu për të krijuar një formë të re e cila do të ketë esencë por nuk do të jetë formë pa përmbajtje. Duam të ndërtojmë një mekanizëm i cili do të veprojë – shpejt, me efikasitet dhe pa kompromis.
Fatkeqësisht, vitet e kaluara e pamë se si korrupsioni në heshtje, por pa ndalë, e gërryen besimin edhe tek qytetarët edhe tek institucionet.
Procedura gjyqësore që zgjasin me vite.
Akuzat që kurrë nuk përfundojnë me aktgjykim.
Hetime që hapen vetëm kur bëhen senzacion mediatik.
E gjithë kjo krijoi ndjenjën tek qytetarët se drejtësia është selektive, ndërsa korrupsioni – i pranuar.
Dhe pikërisht kjo është dëmi më i madh. Jo vetëm paratë e humbura. Por besimi i humbur.
Korrupsioni vret shpresën. I detyron të rinjtë të largohen. I dekurajon të ndershmit. E rrënon shoqërinë.
Dua të theksoj se korrupsioni është pengesa më e madhe për rritjen, zhvillimin dhe të ardhmen e një shteti.
Nuk guxojmë të veprojmë si të painteresuar dhe të mos flasim për rastet të cilat godasin fuqishëm drejtësinë.
Dje, opinioni përsëri u trondit nga rasti në Tetovë. Pas një aksidenti trafiku në gusht të vitit 2022, në seancën e parë gjyqësore në nëntor të vitit 2023, pas pranimit të fajit, autori që mori një jetë të re u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Pas ankesës, Gjykata e Apelit e uli dënimin, po e përsëris, Gjykata e Apelit e uli dënimin në dy vjet burg, që më pas Gjykata Supreme të anulojë të dy aktgjykimet dhe ta kthejë lëndën në rigjykim. Gjykata në Tetovë dje e dënoi me dy vjet burg autorin që vrau një jetë të pafajshme, Teodora Ristevska 22-vjeçare. Përsëris, Gjykata në Tetovë e dënoi me dy vjet burg autorin që e shtypi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristevska. Dua publikisht të pyes, a ka dikush në këtë shtet që mendon se drejtësia është vënë në vend?!
Unë jo vetëm që nuk konsideroj se drejtësia është e kënaqur, por si kryeministër, si njeri dhe si prind i dy fëmijëve jam thellësisht i zhgënjyer. Kjo nuk është drejtësi, edhe këtu kemi të bëjmë me dështim total të sistemit në të gjitha bazat. E di që dikush do të më hidhërohet, do të ketë edhe “mendjemëdhenj” të cilët do të më kritikojnë pas kësaj që do e them, por publikisht kërkoj nga Këshilli Gjyqësor të rishqyrtojë punën e këtij gjyqtari dhe të rishqyrtohet kjo çështje.
Kjo nuk është luftë partiake, kjo është betejë për të vërtetën, për përgjegjësinë, për drejtësinë. Sepse kjo është betejë mes njerëzve dhe jo-njerëzve. Dhe njerëzit duhet të fitojnë. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitojmë së bashku. Nëse ky sistem nuk “resetohet” tani, nëse nuk ndërmerren masa tani, atëherë gjithçka është e kotë.
Kjo nuk është çështje politike, kjo është çështje e së ardhmes. Kush ka qenë pjesë e kësaj, kush ka lejuar, kush ka mbyllur sytë – do të bartë përgjegjësi.
Si institucionet, ashtu edhe personat përgjegjës dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar që kjo tragjedi të ndodhë. Çdokush që ka keqpërdorur autoritetin e vetë, që ka vënë interesin personal para sigurisë së qytetarëve – do të përballet me drejtësinë.
Ky nuk do të jetë edhe një rast tjetër që do të mbyllet pa përgjegjësi. Unë personalisht do ta ndjek dhe ju premtoj se drejtësinë do ta çojmë deri në fund. Ky është momenti kur patjetër e kemi të demonstrojmë se ligjet vlejnë për të gjithë. Sepse viktima e radhës mund të jetë secili prej nesh. Çdo kush që e ka keqpërdorur autoritetin e tij, çdo kush që ka vënë interesin personal përpara sigurisë së qytetarëve – do të përballet me drejtësinë.
Ky është momenti kur duhet të dëshmojmë se ligjet vlejnë për të gjithë.
Kjo nuk është vetëm një betejë kundër krimit, korrupsionit por është një betejë për shpirtin e atdheut tonë.
Për vlerat që duam t’i jetojmë.
Lidhur me atë nëse do të jemi një shoqëri e rendit dhe e ligjit apo e “lidhjeve” dhe “marrëveshjeve nën tavolinë”.
Trupi Ndër-resorial ka një përgjegjësi historike – të vendosë koordinim midis të gjitha institucioneve kyçe:
– Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit;
– Ministrinë e Punëve të Brendshme;
– Prokurorinë Publike;
– Policinë Financiare;
– Drejtorinë e të Ardhurave Publike;
– Drejtorinë Doganore;
– Ministrinë e Drejtësisë;
– Ministrinë e Financave;
dhe të tjera.
Këto institucione tashmë kanë kompetenca. Ajo që u mungon është:
koordinimi, guximi dhe përgjegjësia.
Ky trup duhet të jetë vendi ku informacionet shkëmbehen me kohë.
Ku askush nuk hesht. Ku ndërmerren nisma, ndiqen rastet dhe kërkohen rezultate.
Por gjithashtu, duhet të pranojmë edhe realitetin:
Fatkeqësisht, qytetarët nuk janë të kënaqur me punën e gjyqësorit. Gjyqësori dhe prokuroria janë hallka e dobët në luftën kundër korrupsionit.
Dhe ky nuk është mendimi im. Kjo është përshtypja e popullit.
Dhe populli nuk gabon kur për vite të tëra është dëshmitar se si drejtësia vonohet, shtrembërohet, zhduket.
Gjyqësori duhet ta rikthejë rolin e saj – jo si vëzhgues i heshtur, por si aktor kyç në këtë betejë.
Do t’i mbështesim me zgjidhje ligjore, me buxhet, me logjistikë, gjithçka që nevojitet do ta bëjmë. Por njëkohësisht – kërkojmë llogaridhënie.
Nuk mundet më që lëndët të presin, ndërkohë që opinioni pret.
Siç ka thënë Winston Churchill: “Forca e një populli nuk matet vetëm me ushtrinë, por edhe me drejtësinë që ai popull garanton.”
Qytetarët nuk duan spektakël. Ata duan rezultate.
Dua të shohim funksionarë që kur gabojnë, kur përfshihen në krim – të mbajnë përgjegjësi, institucione që nuk tolerojnë, dhe një sistem që mbron – e nuk vjedh.
Nuk do të lejojmë që lufta kundër korrupsionit të mbetet vetëm në letër.
Do të ndjekim rezultate konkrete. Do të përcaktojmë indikatorë dhe do t’i publikojmë në mënyrë transparente.
Nuk do të ketë më të paprekshëm. Nuk do të ketë më “ai është i yni”.
Unë personalisht – si kryeministër – do të jem pjesë e çdo raporti, çdo takimi, çdo vlerësimi.
Do të jem mbështetësi më i zëshëm i këtij trupi, por edhe kritikuesi më i madh – nëse nuk jep rezultate, kuptohet.
Kjo nuk është luftë e një Qeverie. Kjo është luftë e gjithë shoqërisë.
Dhe për këtë i ftoj të gjithë – qytetarët, mediat, sektorin civil, bizneset – të jenë pjesë e këtij procesi.
Të raportojnë. Të reagojnë. Të mos heshtin.
Do të ndërtojmë një sistem ku funksioni do të thotë shërbim – jo privilegj.
Ku ligji do të vlejë për të gjithë – jo vetëm për qytetarin e rëndomtë.
Ku të rinjtë do të qëndrojnë këtu – sepse do të kenë arsye për të besuar.
Dhe mos harroni – korrupsioni është pengesa më e madhe për rritjen, zhvillimin dhe të ardhmen e një shteti.
Të krijojmë një shtet që nuk turpërohet nga e vërteta. Por do të krenohet me të.
Shtet ku korrupsioni nuk është zakon – por zonë e ndaluar.
Shtet ku nuk fitojnë më të zhurmshmit – por më të ndershmit.
Ju faleminderit.