Filkov: Ministria e Drejtësisë punon për zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshime në Kodin Penal

Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në intervistë për Plusinfo ka bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë së shpejti do të dalë me zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshime në Kodin Penal ekzistues, me të cilin duhet të hiqen pasojat e dëmshme nga ndryshimet ligjore të Kodit Penal nga viti 2023.

“Përkufizimi i veprës penale “Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar” është i një rëndësie thelbësore për funksionimin e sistemit të drejtësisë, por dhe gjithashtu për luftën kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit të funksioneve publike”. Jam dakord që përshkrimi aktual i kësaj vepre penale mund të ngrejë pyetje në lidhje me zbatimin, veçanërisht kur bëhet fjalë për zbatueshmërinë e tij të gjerë dhe potencialin për keqpërdorim në kontekst të procedurave të motivuara politikisht.

Ajo që është kyqe është të jepet përkufizim i qartë dhe i saktë, i cili jo vetëm do të përcaktojë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, por edhe do të minimizojë rreziqet e keqpërdorimit të saj për qëllime politike apo të tjera të pabaza. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të bëhet dallim midis veprave penale reale dhe normave që përdoren për të ushtruar presion të padrejtë ndaj individëve.

Si zgjidhje për këtë çështje, Ministria e Drejtësisë punon për zgjidhje të shkurtër ligjore për ndryshimet në Kodin Penal, e cila duhet të heqë pasojat e dëmshme të ndryshimeve ligjore të Kodit Penal në vitin 2023 . Tendenca është përmirësimi i dispozitave për personat juridikë dhe shtrëngimi i politikës penale, duke rritur dënimet ekzistuese për veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Është planifikuar dhe zgjerimi i fushës së veprave penale për konfiskim të zgjeruar, si dhe inkorporimi i disa veprave penale të reja që janë rezultat i shoqërisë dhe teknologjisë moderne. Por, një zgjidhje plotësisht e formuar ligjore do t'i paraqitet Qeverisë së RMV-së shumë shpejt”, thotë Filkov.

Lidhur me Kodin e ri Penal, Filkov pret që ai të miratohet në vitin 2025.

“Qëllimi ynë është të kemi Kod Penal efikas dhe modern, i cili do t'i përgjigjet nevojave të shoqërisë dhe sistemit të drejtësisë. Pres që Kodi i ri Penal të miratohet në vitin 2025. Është përkthyer në gjuhën angleze dhe po përfundon procesi i përgatitjes së tabelave përkatëse, si detyrim i shqyrtimit bilateral për Kapitullin 23.

Kodi i ri Penal duhet të harmonizohet me politikat evropiane në fushën e luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin. I gjithë legjislacioni ynë do të jetë i harmonizuar me direktivat dhe konventat ndërkombëtare në fuqi, për të cilat është e nevojshme të sigurohet opinion pozitiv nga Komisioni Evropian.

Për risitë që mund të priten në Kodin Penal, këto do të jenë ndryshime që do të modernizojnë dhe përmirësojnë procedurat ekzistuese, si dhe do të qartësohen dhe rregullohen në detaje disa vepra penale. Një nga çështjet kryesore është rritja e sanksioneve për krimet e rënda, veçanërisht krimin ekonomik dhe korrupsionin, që është në përputhje me përpjekjet për luftë kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar.

Në mënyrë shtesë, ka edhe vepra të reja penale që lidhen me veprat penale financiare, duke përfshirë praktikën e konfiskimit të pronës së fituar me vepra penale, të cilat do të kontribuojnë për efektivitet më të madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu duhet theksuar se Kodi i ri Penal do të hartohet në atë mënyrë që do të rrisë sigurinë juridike dhe do të përmirësojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në fushën e të drejtave procedurale të të akuzuarve dhe personave të dënuar”, theksoi Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.

Në intervistën, ministri Filkov flet edhe për listën e zezë të SHBA-së, për reformat në Këshillin Gjyqësor, burgjet, nevojën për Ligj të ri për falje luftën kundër korrupsionit.