Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot (4 shkurt) ka pritur në takim ambasadoren e Mbretërisë së Norvegjisë e akredituar në vendin tonë, Kristin Melsom, me të cilën ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mbrojtje ndërmjet dy vendeve aleate. Ministri dha përkrahje të plotë për realizimin e projekteve të iniciuara dhe tha se mbrojtja dhe Armata maqedonase janë plotësisht të përkushtuara për realizimin e të gjitha aktiviteteve që forcojnë sigurinë kombëtare dhe kolektive në Aleancë.
„Ju falenderoj për mbështetjen tuaj të vazhdueshme afatgjatë. Kemi realizuar bashkërisht shumë projekte, por nuk po ndalemi me kaq – ne mbetemi të përkushtuar në zhvillimin e projekteve të reja, duke përfshirë projektin për zhvillimin e personelit civil, zbatimi i të cilit do të fillojë në prill të këtij viti”, tha ministri në takim.
Të dy vendet bashkëpunojnë gjithashtu në kuadër të Task Forcës Mjekësore Ballkanike, ku Norvegjia është një vend partner dhe mbështet zhvillimin e forcave mjekësore. Në këtë kontekst, ministri Misajllovski shprehu gatishmërinë e vendit tonë për të pritur Komitetin e Komandantëve të Forcave Mjekësore Ushtarake të vendeve të NATO-s në vitin 2026. Njëkohësisht u konfirmua bashkëpunimi edhe në fusha të tjera, si pjesëmarrja e përbashkët në stërvitje, bashkëpunimi në fushën e marrëdhënieve me publikun, përkrahja e QRMP-së dhe PU Krivollak, bashkëpunimi mes akademive ushtarake etj.
Bashkëpunimi maqedono-norvegjez në mbrojtje daton që nga viti 2008, kur u nënshkrua Memorandumi për Bashkëpunim. Të dy vendet aktualisht po punojnë për harmonizimin e Planit Dypalësh të Bashkëpunimit të Mbrojtjes për vitin 2025.