Mickoski: Kjo nuk është vetëm një ditë pikëllimi dhe kujtimi i vuajtjeve të hebrenjve maqedonas, por edhe një ditë paralajmërimi në të cilën ne konfirmojmë se nuk do të lejojmë kurrë të përsëritet historia

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në ngjarjen kushtuar 82-vjetorit të deportimit të hebrenjve maqedonas, ku u bënë homazhe për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e vendit tonë.

Ai në fjalimin e tij tha se kjo nuk është vetëm një ditë pikëllimi dhe kujtimi i vuajtjeve të hebrenjve maqedonas, por edhe një ditë paralajmërimi, një ditë në të cilën ne si popull dhe njerëzim, konfirmojmë se nuk do të lejojmë kurrë të përsëritet historia.

“Para Luftës së Dytë Botërore, në Maqedoni jetonte një komunitet hebre dinamik, me prosperitet dhe i pasur. Hebrenjtë nuk ishin vetëm qytetarë, por edhe një pjesë e rëndësishme e jetës kulturore, ekonomike dhe sociale. Prezenca e tyre ka qenë pjesë e historisë sonë prej shekujsh. Atë vit në mars, autoritetet e atëhershme fashiste bullgare okupuese, në koordinim me pushtetet naziste, urdhëruan arrestimin dhe dëbimin e të gjithë hebrenjve nga Maqedonia e atëhershme e Vardarit. 7,144 burra, gra dhe fëmijë u mblodhën me dhunë dhe u dërguan në kampin e përkohshëm në Shkup, në objektin e atëhershëm “Monopol”. U humbën një komunitet i tërë, familje të tëra, gjenerata të tëra”, theksoi Mickoski.

Kryeministri Mickoski nënvizoi se kur përhapet e keqja, kur ushtrohet padrejtësi, kur dhuna bëhet rregull, nëse njerëzit heshtin, atëhere e keqja fiton dhe prandaj, sipas tij, detyrimi ynë sot, si çdo ditë, është të flasim, të mos lejojmë që gjeneratat e reja të rriten pa e ditur të vërtetën, të mos lejojmë që urrejtja të gjejë tokë të re për të mbirë, të luftojmë kundër çdo forme të antisemitizmit, diskriminimit dhe urrejtjes, t’i mësojmë fëmijët tanë se toleranca, humanizmi dhe solidariteti janë themelet e një shoqërie të drejtë dhe të mos heshtim përballë padrejtësisë.

“Maqedonia është një vend i diversitetit, një vend që gjithmonë ka qenë shtëpia e shumë kulturave, religjioneve dhe popujve. Kjo është pasuria jonë, forca jonë. Komuniteti hebre, edhe pse gati u shkatërrua gjatë kohës së Holokaustit, mbetet një pjesë e historisë sonë, jetës sonë të përditshme, të ardhmes sonë, trashëgimisë sonë kulturore dhe ndërgjegjes sonë. Prandaj, sot, deri sa jemi këtu, kujtimi ynë le të jetë jo vetëm i së shkuarës, por edhe thirrje për të ardhmen. Tragjedia e tyre le të jetë mësim për ne, jeta e tyre le të jetë kujtim për ne, dhimbja e tyre le të jetë paralajmërim”, theksoi Kryeministri Mickoski në fjalimin e tij dhe përsëriti: “Le të mos harrohet asnjëherë! Asnjëherë më!”