Mickoski: Filloi rikonstruksioni i rrugës lokale Draçevë-Motel Kitka, segmenti fshati Uji i Kuq "Kitka" në Komunën e Studeniçanit

Mirëdita. Jam me të vërtetë i lumtur që sot ndodhem këtu, në këtë vend të mrekullueshëm. Nuk kam çfarë të shtoj në lidhje me këtë projekt, përveç asaj që thanë folësit e mëparshëm – nga aspekti i karakteristikave teknike, nga aspekti i buxhetit.

Mua më lejoni vetëm t’i shpreh mirënjohje kryetarit të komunës dhe ta uroj për punën e përkushtuar, që përgatit projekte, me të cilat më pas aplikohet në këtë program qeveritar, në mënyrë që ne të mund t’i rialokojmë mjetet nga buxheti qendror dhe të mbështesim këtë lloj projektesh komunale.

Dua gjithashtu t’i shpreh mirënjohje kolegëve të mi nga Qeveria, anëtarëve të Qeverisë, këshilltarëve, administratës këtu në Komunën e Studeniçanit, të gjithë atyre që punojnë për të mirën e qytetarëve.

Dhe përderisa gjithë kjo funksionon kështu siç funksionon, do të ketë projekte – do të ketë projekte që nënkuptojnë një jetë më cilësore për qytetarët, një jetë më të rehatshme, një jetë më të mirë. Ne nuk kemi ndërmend të harrojmë asnjë vend në të gjithë territorin e Maqedonisë, do të investojmë kudo. Këtë po e bëjmë tashmë nëntë muaj, duke treguar një mënyrë ndryshe të funksionimit të Qeverisë.

Njëri nga folësit e mëparshëm tha se më parë investohej vetëm në komunat ku kryetarët nuk ishin nga opozita, zgjidhej sipas partisë politike. Ne nuk kemindërmend të funksionojmë ashtu, investojmë kudo dhe do të vazhdojmë të sillemi kështu edhe në të ardhmen. Do të tregojmë një karakter ndryshe, një sjellje ndryshe, sepse qytetari – maqedonasi, shqiptari, turku, serbi, romi, boshnjaku dhe të gjithë të tjerët, vllahu – është në qendër të vëmendjes sonë, dhe të gjithë së bashku do të punojmë për një të ardhme më të mirë për ta.

Prandaj, edhe një herë, dëshiroj të ketë sa më shumë projekte këtu në Komunën e Studeniçanit dhe një jetë më të mirë dhe më komode për qytetarët e Studeniçanit. 
Ju faleminderit.