Delegacion shumë anëtarësh nga Instituti Кosovar për Qeverisje Lokale sot në Ministrinë për Vetëqeverisje Lokale u prit nga ministri Suhejl Fazliu dhe të punësuarit në këtë dikaster qeveritar. Është kjo vizita e radhës e delegacionit kosovar i prirë nga drejtori ekzekutiv Besnik Muçaj, të cilët si viteve të kaluara ashtu edhe sivjet bashkërisht ndajnë përvojat e mira për ngritjen e vlerave të mirëfillta demokratike të shoqërisë së dy vendeve duke kontribuar kështu në përmirësimin e standardit të qytetarëve, ndërtimin e urave për komunikim dhe bashkëpunimin e subjekteve nga fusha të ndryshme.
Ministri Fazliu përshëndeti anëtarët e delegacionit të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale duke nënvizuar se dyert e bashkëpunimit janë gjithnjë të hapura madje edhe në fusha tjera konkrete. Ai njoftoi të pranishmit se Ministria për Vetëqeverisje Lokale vazhdon të avancojë aktivitetet e saja kryesisht në tre fusha të rëndësishme: decentralizimin e pushtetit, zhvillimin e balancuar regjional dhe bashkëpunimin ndërkufitar me të gjithë fqinjët që e rrethojnë.
Decentralizimi i pushtetit edhe më tutje mbetet shtylla thelbësore e demokratizimit të shoqërisë. Kemi bërë hapa të rëndësishëm dhe ky proces do të vazhdojë sipas Strategjisë së hartuar për decentralizim të pushtetit në Republikën e Maqedonisë. Me rëndësi për ne është jo vetëm dhënia e më shumë kompetencave komunave, por menaxhimi i mirë me to, stabiliteti financiar i komunave, zhvillimi i komunave duke marrë parasysh prioritetet e qytetarëve dhe ofrimin e shërbimeve unike për të gjithë, theksoi ministri Suhejl Fazliu. Ai gjithashtu shtoi se rëndësi të veçantë i kushtohet zhvillimit rajonal dhe se 8-të regjioneve planore u ndahet ndihmë konkrete financiare. Me këtë rast përmendi Memorandumin e nënshkruar me Ambasadën e Zvicrës me çka fillon implementimi i projektit të ri në vlerë prej 5,4 milion Franka Zvicerrane për zhvillim të barabartë regjional. Ministri Fazliu foli edhe për bashkëpunimin ndërkomunal në Republikën e Maqedonisë si segment mjaft i rëndësishëm përmes së cilit komunat realizojnë projekte të përbashkëta në interes të dy e më shumë komunave.
Në fund të këtij takimin, ministri Fazliu u dëshiroi qëndrim të këndshëm anëtarëve të delegacionit kosovar me dëshirë për bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen.