Ministri i Kulturës, Asaf Ademi, sot në Muzeun e Luftës Maqedonase së bashku me përfaqësuesit e shteteve-anëtare të Rrjetit Evropian për Letërsi dhe përkthim “Traduki” nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për periudhën vjetore 2019-2020 .
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, me të cilin vazhdohet anëtarësimi fuqiplotë i Maqedonisë dhe shteteve tjera për periudhën e ardhshme dyvjeçare, ministri Ademi ka shprehur bindjen e tij se si shtet do të japim kontribut të konsiderueshëm në synimet strategjike për zhvillimin e Rrjetit dhe do të promovojmë vlerat e të njëjtit që janë pjesë e mozaikut të përbashkët evropian.
Ai e ka theksuar edhe gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë për çfarëdo logjistike rreth realizimit të planeve të ardhshme për zhvillimin e Rrjetit. Ministri Ademi e ka theksuar nevojën për vëmendje më të madhe për përkthyesit, që janë ndërmjetësuesit kryesorë kulturorë në promovimin dhe afirmimin e veprave dhe autorëve në kontekst ndërkombëtar. Në këtë drejtim është shprehur interesim për rritjen e dinamikës së takimeve midis autorëve, përkthyesve, botuesve, bibliotekistëve, kritikëve dhe shkencëtarëve nga vendet anëtare të Rrjetit.
Republika e Maqedonisë është anëtare fuqiplote e Rrjetit “Traduki” që nga shtatori i vitit 2017, ku bëjnë pjesë edhe shtetet: Austria, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Gjermania, Kosova, Lihtenshtajni, Maqedonia, Rumania, Sllovenia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Zvicra.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje bashkëpunimi realizohet në kuadër të takimit treditor të punës të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Komisionit Programor të Rrjetit Evropian për letërsi dhe libra “Trauki” që mbahet prej dt. 29-31 tetor në Shkup.