Takimi i Kryeministrit Zaev me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi: Të arriturat janë mbresëlënëse, Maqedonia asnjëherë nuk ka qenë më afër NATO-s dhe BE-së, Shqipëria midis të parëve do të nënshkruajë protokollin për anëtarësim në NATO

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, u takua sot me Gramoz Ruçin, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ruçi, përcolli përshtypjet lidhur me arritjet e Maqedonisë në drejtim të stabilitetit politik dhe integrimit në NATO dhe BE. Ai vlerësoi se në mënyrë të veçantë, falë mençurisë dhe qetësisë së Kryeministrit Zaev, u parandalua destabilizimi i Maqedonisë me ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, është arritur zhvillim i reformave, kohezionin ndëretnik, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe Republika e Maqedonisë si asnjëherë më parë është afër NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë i vlerësoi si të sinqerta dhe miqësore marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, i përshëndeti marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë dhe njoftoi se vendi i tij dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jenë në mesin e të parëve që do të nënshkruajnë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Kryeministri Zaev e falenderoi Shqipërinë për mbështetjen në integrimin në NATO dhe vlerësoi se janë hapur perspektiva të mëdha për bashkëpunim midis dy vendeve sa i përket planit ekonomik.

- Falenderojmë Republikën e Shqipërisë për mbështetjen e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Me rëndësi të madhe është edhe mbështetja që e japim për integrimin në BE. Pres nga mesi i muajit janar në Kuvendin e Maqedonisë të ratifikohet Marrëveshja e Prespës, me çka vijon ratifikimi i Marrëveshjes nga pala greke, si dhe ratifikimi i Protokollit për NATO. Qeveritë e Maqedonisë dhe të Shqipërisë janë në bashkëpunim të sinqertë, të rregullt dhe miqësor. Unë do të shfrytëzoj rastin që në emër të Qeverisë së Maqedonisë, të bëj thirrje që të avancohet edhe më tej bashkëpunimi në mes dy kuvendeve. Veçanërisht në planin ekonomik kemi perspektiva të shkëlqyera, për të siguruar një jetë cilësore për qytetarët në vendet tona, tha Kryeministri Zaev.

Në takim u theksua mbështetja e përbashkët për projektet që kanë të bëjnë me lidhjet infrastrukturore në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, për lehtësimin e qarkullimit të njerëzve dhe mallrave përmes projektit të menaxhimit të integruar të kufijve "One Stop Shop", që pritet të realizohet në pranverë, për lidhjen energjetike në të cilën është duke u punuar, si dhe në sferën e punëve doganore, arsimit dhe kulturës. Në këtë drejtim, Kryeministri Zaev kërkoi mbështetje për të përshpejtuar hapjen e Qendrës Kulturore në Tiranë, që tashmë është diskutuar në nivel qeveritar.

Në takimin midis Kryeministrit Zaev dhe Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ruçi, u përshëndet ndërtimi i një shoqërie për të gjithë në Maqedoni, si dhe përpjekjet në Shqipëri për avancimin e të drejtave të maqedonasve që jetojnë në Republikën e Shqipërisë. U pajtuan që bashkëpunimi miqësor midis dy vendeve të vazhdojë në të gjitha nivelet, në interes të qytetarëve, zhvillimit të vendeve dhe rajonit.