Ministri pa resor, i ngarkuar për tërheqjen e investimeve të huaja Bardhyl Dauti, i shoqëruar nga Nikica Baçovski, këshilltar special i Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë u takuan me përfaqësuesit e ndërmarrjes izraelite "Dagan", një ndërmarrje me mbi tridhjetë vjet përvojë, të specializuar në projekte bujqësore dhe një nga ofruesit kryesorë të teknologjisë inovative në industrinë bujqësore.
Ministri Dauti në takim prezantoi mundësitë që Maqedonia u ofron investitorëve potencialë duke i njoftuar me Programin e Rritjes Ekonomike dhe Transparencës, i cili mbështet fuqishëm kompanitë që duan të investojnë në vend.
Zyrtarët e qeverisë theksuan se për investitorët është ofruar siguria e së drejtës, stimulimi dhe mbështetja e kompanive të huaja dhe vendase në mënyrë transparente dhe jo-diskriminuese, e cila e përfshin edhe aspektin e ofertës së tokës shtetërore të dedikuar për investime, si dhe mundësinë për përdorimin e fondeve IPARD, si dhe subvencione të siguruara nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë.
Përfaqësuesit e kompanisë Dagan, të cilët fillimisht janë të interesuar për investim me vlerë rreth 30 milionë euro, që do të siguronte së paku 100 vende të reja pune, i shprehën interesat e tyre për investime në fushat e automatizimit të bujqësisë, veçanërisht në fushën e serave, shtëpitë e gjelbra, tunelet dhe fushat e hapura.
Përfaqësuesit e kompanisë izraelite u shprehën të kënaqur me takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për vizitë të serishme në Republikën e Maqedonisë për saktësimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit.