Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev, në Bibliotekën e Qytetit “Braqa Milladinovci” në Shkup, me fëmijët e klasës së dytë të SH.F. “Vëllazërimi” - Shkup, mori pjesë në leximin e përbashkët të përrallës “Letër nga Imagjinata”.
Sipas përrallës, të cilën Kryeministri e ndau me nxënësit, Kryetari i Republikës Imagjinata në letrën drejtuar fëmijëve, shkruan se është shumë i brengosur për vendin e tij, i cili është i rrezikuar nga zhdukja.
Ai lutet që kjo letër t’u lexohet fëmijëve, pasi që beson se vetëm fëmijët mund ta shpëtojnë Imagjinatën nga zhdukja, sepse çdo ditë e më shumë fëmijët nuk lexojnë libra dhe se për këtë shkak heronjtë nga vendi i Imagjinatës siç janë: Piter Pani, Zoki Poki, Vini Pu dhe të tjerët mbeten pa u lexuar, të vetmuar, pa forcë - dhe atëherë kur janë më të pafuqishëm, vjen dragoi i zi “Asgjëja” dhe i gëlltit.
Në letrën - përrallë, më tej shkruan se fëmijët mund ta ndalojnë këtë rrezik me dhuratën e Vitit të Ri e cila përbëhet nga një paketë librash të shkruara nga vendi i Imagjinatës, në të cilën janë të gjithë heronjtë dhe shokët nga ky vend, i cili është vendlindja e tyre e dytë dhe se gjithçka që duhet të bëjnë është t’i lexojnë librat dhe pasi që t’i lexojnë t’ua dhurojnë shokëve të tyre.
Fëmijët nga shkolla “Vëllazërimi” pranuan propozimin të lexojnë më tepër, të dhurojnë libra dhe në këtë mënyrë t’i shpëtojnë heronjtë nga vendi i Imagjinatës.
Pasi që i pranuan librat e paketit të Vitit të Ri të Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë Zoran Zaev,fëmijët e pranuan edhe propozimin e dytë me të cilin ftohen të gjithë nxënësit e të gjitha shkollave të vendit, të shkruajnë përralla ose vjersha, të cilat pastaj do të botohen në librin që do t’u dhurohet të gjithë bibliotekave të shkollave dhe të qytetit, që të mund ti lexojnë të gjithë fëmijët dhe të jenë dhuratë për Vitin e Ri të ardhshëm.
Në shenjë kujtimi në këtë takim, fëmijët e shkollës “Vëllazërimi” Kryeministrit Zaev i dhuruan bredh dhe urim për Vitin e Ri të përgatitura nga vetë ata.