Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, sot u takua me Majlinda Bregun, Sekretare e Përgjithshme e sapoemëruar e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (KRB), organ ekzekutiv i Procesit për bashkëpunim në Evropën Juglindore, themeluese e së cilit dhe anëtare e plotfuqishme është edhe Republika e Maqedonisë.
Kryeministri Zaev ia uroi Majlinda Bregut emërimin e ri Sekretare e Përgjithshme e KRB-së duke i shprehur dëshira të sinqerta dhe mbështetje për vazhdim të suksesshëm të përpjekjeve të saj dhe planeve për përforcimin e bashkëpunimit rajonal në rrugën drejt integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimorë.
“Republika e Maqedonisë i përkushton vëmendje të veçantë bashkëpunimit rajonal, duke konsideruar se është me rëndësi jetike integrimi evropian i të gjithë rajonit dhe vazhdimisht në mënyrë aktive merr pjesë në punën e të gjitha organizimeve rajonale dhe nismave, posaçërisht KRB si krah operativ në procesin për bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJ),” theksoi Kryeministri Zaev, duke shtuar se të gjitha vendet, veçanërisht të Ballkanit Perëndimor patjetër duhet ta shfrytëzojnë mundësinë për të krijuar kushte më të mira për ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, sipas shembullit të ekonomisë së BE-së.
Në takim u shpreh përkrahja për nevojën e lidhjes së rajonit dhe integrimit të ekonomive kombëtare në treg të vetëm, si dhe të projekteve në të cilat Republika e Maqedonisë punon në lidhjen e vendit nëpërmjet infrastrukturës energjetike, rrugore dhe hekurudhore, lidhjen e njerëzve dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta, burimeve njerëzore dhe kapitalit intelektual, si interes i përbashkët për të gjitha vendet e rajonit.
Gjithashtu, u përshëndet fillimi i negociatave për Marrëveshjen për njohje të ndërsjellë të kualifikimeve profesionale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u vlerësuan pozitivisht përvojat për organizimin e suksesshëm të Samitit Rajonal Digjital.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, Majlinda Bregu, i uroi Kryeministrit Zaev përkushtimin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, e cila hap rrugën e Maqedonisë drejt vendit të merituar në Bashkimin Evropian dhe është një shans i madh për realizimin e perspektivave për ardhmëri të sigurt të shtetit dhe të qytetarëve të Maqedonisë.
Kryeministri Zaev dhe Sekretarja e Përgjithshme Bregu e përshëndetën mënyrën se si përparojnë marrëdhëniet dypalëshe midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë,veçanërisht duke theksuar prioritet e përbashkëta të të dy vendeve, gjegjësisht lidhjen e infrastrukturës, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik.