Kryeministri Zaev dhe kancelari Kurc: Austria mbetet partner i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë e cila së bashku me Greqinë solli lajmin me të mirë për rajonin dhe për gjithë Evropën

Delegacioni i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev, dhe në përbërje të së cilës ishin edhe zëvendës kryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane , Bujar Osmani, ministri i Financave, Dragan Tevdovski si dhe ministri i Shëndetësisë dr. Venko Filipce, sot në Vien realizuan takim me Kancelarin e Republikës së Austrisë, Sebastijan Kurc.  

Kryeministri Zoran Zaev dhe kancelari Kurc u pajtuan se Republika e Maqedonisë, respektivisht së shpejti Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Austrisë ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale edhe në planin politik edhe në atë ekonomik.

Në takimin kryeministri Zaev i shprehu falënderime homologut të tij austriak për përkrahjen e vazhdueshme që e merr Republika e Maqedonisë nga Republika e Austrisë vite me radhë. Duke e theksuar përkushtueshmërin e vendit për implementimin e Marrëveshjes së Prespës, kryeministri Zaev theksoi se njëkohësisht Republika e Maqedonisë është orientuar fuqishëm drejt zbatimit të reformave në më shumë fusha.

Nga ana e tij, kancelari i Republikës së Austrisë Sebastian Kurc e përshëndeti guximin e kryeministrit Zaev, por edhe të të gjithë vendit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Ky, siç tha kancelari Kurc, është lajmi më i mirë për rajonin, por edhe për të gjithë Evropën.

Njëkohësisht, kancelari Kurc theksoi se për Republikën e Austrisë me interes strategjik është rajoni i Ballkanit Perëndimor që sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian.

Pas takimit bilateral kryeministri Zaev dhe kancelari Kurc mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën kryeministri Zaev theksoi se Austria është një prej miqve më të mëdhenj të Republikës së Maqedonisë edhe në planin ekonomik, sepse është një nga investuesit më të mëdhenj. Siç theksoi kryeministri Zaev në vend për momentin punojnë 45 kompani austriake.

 

 

“Njëkohësisht , në mënyrë të vazhdueshme rritet edhe vëllimi i këmbimit tregtar midis Republikës së Maqedonisë dhe Austrisë, prej 60 për qind në vitin 2018, në krahasim me 2017. Kompanitë austriake ndjehen të mirëseardhura në Republikën e Maqedonisë, kanë kushte të shkëlqyera për biznes, e ndjejnë atmosferën pozitive dhe janë të inkurajuar që të vazhdojnë bashkëpunimin me ne dhe të investojnë edhe më shumë”, theksoi kryeministri Zaev.

Në konferencën për shtyp kryeministri Zaev i përsëriti edhe proceset që përfunduan periudhën e kaluar, respektivisht miratimin e amendamenteve kushtetuese në Republikën e Maqedonisë, si edhe ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek.

Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se Marrëveshja e Prespës kontribuon për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal. Por edhe se është shembull se si mundet që të tejkalohen disa çështje apo probleme të hapura bilaterale.

“Kjo është mundësi historike që të krijojmë një të ardhme sa më të ndritshme për ne dhe për qytetarët tanë dhe t’i heqim pengesat për anëtarësimin në të dy aleancat më të mëdha, NATO dhe BE. Që muajin e ardhshëm presim që të ulemi në vendin e 30-të në NATO, aleati më i fuqishëm politik dhe ushtarak në botë. Ndërsa brenda mesit të vitit të ardhshëm të bëhemi edhe anëtare e plotfuqishme”, theksoi kryeministri Zaev në pres konferencën e përbashkët me kancelarin austriak Kurc.

Ndërsa kancelari austriak Kurc theksoi se në takim me kryeministrin Zaev biseduan për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, energjetikës, shëndetësisë por edhe në fusha të tjera të industrisë.

“Kjo ishte një mundësi e shkëlqyer që të bisedojmë për projekte konkrete. Në një të ardhme të afërt shpresoj se do të mund edhe t’i realizojmë. Austria do të mbetet në anën e Republikës së Maqedonisë, por edhe në anën e tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse gjeografikisht BE-ja do të jetë e plotë vetëm me anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në të”, theksoi kancelari Kurc i cili kryeministrit Zaevit ia uroi zgjidhjen e kontestit pothuajse tre dekadësh për emrin me Greqinë.

Si shenjë vlerësimi për këtë, siç tha kancelari Kurc, sukses historik të kryeministrit Zaev dhe të Republikës së Maqedonisë, ai sot kryeministrit Zaev i ndau edhe medaljen “Alojz Mok” për arritje të veçanta për paqe dhe unitet në Evropë.

Aljoz Mok, siç theksoi kancelari Kurc, ka pasur një rol vendimtar për qasjen e Austrisë në Bashkimin Evropian, por edhe ka luajtur një rol të madh edhe për vendet e tjera nga Evropa Lindore”.