Në suaza të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Danimarkës, ministri për marrëdhënie me Diasporën, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Edmond Ademi, ka realizuar takim me zëvendës shefin e Sektorit për fqinjësi europiane në ministrinë për Punë të Jashtme në Danimarkë, Alan Peg Kristensen.
Në takim, ministri Ademi ka theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer bilateral në mes dy vendeve, që karakterizohet me miqësi dhe mirëkuptim, dhe ka njoftuar bashkëbiseduesin me të arriturat e fundit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, të bazuar në sundimin e së drejtës dhe vlerat demokratike. Veçanërisht vendosi theksin mbi prioritetet e politikës së jashtme, duke ndarë përkushtimin dhe vendosshmërinë për arritjen e hapit të duhur në procesin e integrimit në NATO dhe BE, nëpërmes finalizimit dhe mbyljes së procesit për aplikimin e Marrëveshjes me Greqinë.
Ministri Ademi, gjithashtu njoftoi se me nënshkrimin e protokollit për pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, është rrumbullaksuar një proces i rëndësishëm, pas të cilit pason procesi i ratifikimit të Protokollit në parlamentet nacionale të vendeve anëtare në NATO dhe si rrjedhojë Ademi shprehu pritshmërinë që së shpejti do të vijojë ratifikimi i protokollit edhe në kuvendin danez.
Alan Peg Kristensen, i riafirmoi marrëdhëniet e mira bilaterale mes dy vendeve dhe uroi Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për hapin e guximshëm në zgjidhjen kontestit shumëvjeçar. Ai pohoi se tanimë rruga e RMV është e hapur, duke kujtuar edhe nevojën për aplikimin e reformave të duhura, e që janë hap i rëndësishëm për anëtarësim në BE. Mes tjerash, Alan Peg Christensen njoftoi ministrin Ademi se qeveria daneze do të paraqesë nesër propozimin për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO në Kuvendin danez dhe se procesi i ratifikimit do të fillojë nga 1 marsi.
Në takim, ministri Ademi informoi bashkëbiseduesit edhe për diasporën tonë që jeton në Danimarkë, e cila është e integruar, por duke vënë theksin mbi atë se në bashkëpunim me institucionet e Danimarkës dhe përfshirjen e diasporës tonë në proceset, politike, kulturore, ekonomike dhe arsimore, ky integrim të rritet edhe më shumë.
Vizita e ministrit Ademi në Danimarkë vazhdon edhe sot pasdite, në takime me biznesmenë nga diaspora jonë në Danimarkë, ku do t’i prezantojë edhe kushtet për ndihmë financiare, që Qeveria e RMV e ofron për diasporën. Vizita mbaron nesër, ku ministri Ademi takohet me ministrin e Danimarkës për Imigrim, Integrim dhe Strehim, Inger Stojberg.