Kryeministri Zaev në vizitë të pjesës së rinovuar të Klinikës për Gastroenterohepatologji: Shëndeti ka rëndësi madhe për qytetarët, vazhdojmë me rritjen e mjeteve të buxhetit për sigurimin e kushteve më të mira për pacientët dhe personelin mjekësor

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, i shoqëruar nga drejtoresha e Klinikës për Gastroenterohepatologji, Kalina Grivçeva – Stardelova vizituan pjesën e rinovuar të Klinikës në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” në Shkup.

 

Gjatë vizitës  në katin e tretë të Klinikës, me rinovimin e të cilës janë përmirësuar kushtet për sigurimin e qasjes bashkëkohore dhe moderne në mbrojtjen shëndetësore të pacientëve dhe janë siguruar kushte më të mira për punën e personelit mjekësor, Kryeministri Zaev iu falënderua donatorëve të cilët krahas Fondit për shëndetësi morën pjesë edhe në kompletimin e rinovimit të Klinikës.  

 

“Janë në vijim edhe 30-34 institucione shëndetësore në shtet në programin vjetor të rregullt. Kam kënaqësi që vazhdimisht po i avancojmë pajisjet. Në mbledhjen e fundit veçuam 10 milion denarë për  Klinikën e Onkologjisë, për të furnizuar pajisje shtesë, i modernizojmë sistemet për kujdesin e qytetarëve tanë, sepse  me të vërtetë të gjithë jemi pacientë potencial, kur kemi nevojë për sistem shëndetësor”, theksoi Kryeministri Zaev, duke përshëndetur personelin mjekësor të pranishëm, mes të cilëve ishin edhe drejtorët e Fondit, Den Donçev dhe Orhan Ramadani.

 

Duke potencuar se nuk ka punë më të rëndësishme se shëndetësia dhe se shëndeti i qytetarëve ka një rëndësi të madhe, Kryeministri Zaev njoftoi se Qeveria do të vazhdojë me rritjen e mjeteve të buxhetit të Fondit të Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe me rritjen e pagave të specialistëve, infermierëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë, si motivim shtesë të punonjësve shëndetësor, krahas rritjeve të deritanishme të specialistëve prej 15 % dhe 10 % të infermierëve.

 

“Pagat, gjegjësisht të ardhurat e përgjithshme të specialistëve janë në vlerë prej 100,000 denarë. Nëse bëjmë krahasim prej para dy viteve, atëherë ato ishin rreth 40,000 denarë”, theksoi Kryeministri Zaev, duke shtuar se të gjitha masat janë me një qëllim përfundimtar, pacientët të kenë kushte më të mira për mjekim, por edhe që ti mbajmë mjekët, infermierët dhe personelin e spitalit në vend, në vendin e tyre të jetojnë dhe këtu ta krijojnë ardhmërinë.

 

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, u fokusua në Programin për përforcimin e sistemit shëndetësor, duke informuar se Reparti në të cilin sot bëhet vizitë, është një nga 12 repartet të cilat janë tërësisht të rinovuara dhe ku janë siguruar kushte të shkëlqyeshme për mjekimin e pacientëve dhe punën e personelit.

 

“Vazhdojmë edhe me masat e tjera, konkretisht në Klinikën për Gastroenterohepatologji, në periudhën që vijon, për rreth 20 pacientë të cilët kanë sëmundje serioze, do tu sigurohet terapi biologjike në kuadër të furnizimit në grupe të cilin e zbatoi Ministria e Shëndetësisë, në falënderim të së cilës në vendin tonë u sollën mbi 30 molekula të cilat deri më tani nuk ishin në dispozicion për pacientët. Një pjesë e mirë e tyre për këtë terapi në të kaluarën janë drejtuar jashtë vendit”, njoftoi ministri Filipçe.

 

Ai informoi edhe për vazhdimin e përforcimit të kapacitetit të personelit, ku tanimë janë dhënë më tepër se 5000 pëlqime për punësim në periudhë prej dy vitesh, nga të cilat një pjesë e tyre janë realizuar.

 

“Kur mu ofrua mundësia të jem drejtoreshë e Klinikës Universitare për Gastroenterohepatologji, dëshira ime ishte ti përmirësoj kushtet, si për pacientët që vijnë çdo ditë, ashtu edhe për kolegët.  Të kemi kënaqësi që të shkojmë në punë. Unë jam shumë falënderuese, bashkë me kolegët e mi të Fondit për Sigurim Shëndetësor të RMV-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë, të cilët me programin e tyre na mundësuan ndarjen e një buxheti të caktuar, këtë repart ta rinovojmë nga themeli”, theksoi drejtoresha e Klinikës për Gastroenterohepatologji, Kalina Grivçeva – Stardelova, duke shtuar se tani pacientët do të marrin kujdesin e duhur.