Zaev: Pas 47 vitesh po rindërtohet largpërçuesi në rajonin e Shtipit, investimet kapitale në infrastrukturën elektroenergjetike kanë rëndësi të madhe për përmirësimin e klimës së investimeve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev bashkë me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski dhe drejtoresha e përgjithshme e SHA MEPSO, Eva Shukleva, realizuan takim pune për inspektimin e rikonstruimit të largpërçuesit 110 kilovotësh ST Shtip dhe ST Probishtip.

 

 

Rindërtimi është financuar me hua nga EBOR, ndërsa investimi për ndërtimin e largpërçuesit kushton 2.45 milionë euro. Largpërçuesi është në gjatësi prej 25.21 km. Projekti është projekt kapital infrastrukturor që i lidh trafostacionet ST Shtip dhe ST Probishtip dhe ka rëndësi të madhe për këtë rajon.

 

Largpërçuesi i ri do të jetë i vendosur në 110 shtylla rrjeti prej çeliku dhe do të zëvendësojë largpërçuesin ekzistues që është në funksion për më shumë se 47 vite, ndërsa plani është që ndërtimi i largpërçuesit të përfundojë deri në fund të këtij viti, kur pritet edhe të lëshohet në përdorim.

 

Në një deklaratë për mediat, Kryeministri Zaev theksoi se investime të tilla të mëdha kapitale në infrastrukturën energjetike kanë rëndësi të madhe për vendin tonë dhe për përmirësimin e klimës investuese. Krijohet siguri si te investitorët vendas, ashtu edhe te ata të huajt dhe garantojnë stabilitet për ekonominë dhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

 

Ministri Sugareski foli për përpjekjet e vazhdueshme të Qeverisë në sigurimin për të ofruar shërbime qytetarëve dhe sektorit të biznesit dhe përkujtoi se ky projekt është vetëm një nga gjashtë projektet, përmes të cilit punohet për modernizimin e infrastrukturës në këtë rajon, i cili nuk është riparuar gati 50 vite.

 

Drejtoresha e MEPSO-s, Eva Shukleva sqaroi se me projektin për ndërtimin e një linje të re të transmetimit 110 kv dhe me pajisjet e reja do të zvogëlohen rreziqet nga ndërprerjet dhe shkyçjet për furnizimin e energjisë elektrike, duke ulur kështu ndjeshëm shpenzimet e mirëmbajtjes.

 

Ky projekt është vetëm një nga investimet e parapara në ciklin dhjetëvjeçar që e filloi MEPSO, në vlerë prej 150 milionë euro, për modernizimin dhe ndërtimin e objekteve të reja energjetike, në stacione të reja të transformatorëve dhe largpërçuesve.