Rritja e pensioneve në janar të vitit 2020, pensionet sociale dhe çështje të tjera ishin temë e takimit të sotëm të ministres së Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, me pensionistët e Kumanovës. Ministrja personalisht i ka informuar pensionistët për rritjen e pensioneve në janar të vitit 2020, që do të jetë prej 860 denarë deri 900 denarë me harmonizimet e përllogaritura shtesë.
“Kjo është rritja më e madhe në 12 vitet e fundit. Rritje prej 700 denarëve do të hyjë në bazën e pensioneve dhe e njëjta në mënyrë shtesë do të harmonizohet gjatë vitit 2020 me shpenzimet e jetës. Me këtë zgjidhje ligjore, konkretisht rritja e pensionit do të ndjekë rritjen e pagës minimale dhe mesatare në shtet. Rritja bëhet me plan, me përllogaritje të qëndrueshme dhe në kushte kur kemi stabilizim të sistemit pensional, por edhe kur kemi rritje të ekonomisë në shtet. Zgjidhja sistematike parashikon rritjen shtesë të pensioneve, përveç sipas rritjes së BPV, të mund të rriten edhe sipas rritjes së pagave. Në vitet e rritjes së pagave minimale për mbi 15%, të rritjes së pagave mesatare për 5%, do të ketë mundësi për rritjen edhe të pensioneve për 5%”, theksoi Carovska në takimin në Kumanovë.
Ilija Ivanovski, zv/drejtor i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor theksoi se pensionet rriten në kohën kur deficiti i Fondit për SPI është ulur për 10%, kurse të hyrat rriten. Thuajse 44% e pensionistëve në shtet marrin pension nën 12.000 denarë. 700 denarët shtesë do të thonë shumë pikërisht për këta bashkëqytetarë tanë. Secili meriton jetë dinjitoze.
Në këtë takim në Kumanovë mori pjesë edhe kryetarja e Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, Stanka Trajkova dhe kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kumanovës, Bllagoja Jakimovski.