Me sistemet fotovoltaike në objekte publike vetëm sistemi i furnizimit me ujë në komunën Karbinci ka kursyer për tre muaj 346.914 denarë, respektivisht faturat për energji elektrike janë më të ulëta për 81% në krahasim me tre muajt e kaluar

Në mënyrë që të rritet efikasiteti i energjisë elektrike dhe të sigurohet mbrojtje e përhershme e mjedisit jetësor, Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Zoran Zaev dhe ministrja e Financave, Nina Angellovska sot u drejtuan në promovimin e Projektit për projektimin dhe instalimin  e sistemeve fotovoltaike.

 

 

Në fjalimin e tij Kryeministri Zaev theksoi se reformat në sektorin energjetik janë më thelbësore dhe më efikase, të cilat tashmë i ndjejnë qytetarët si përfitime të drejtpërdrejta të menjëhershme.

“Maqedonia e Veriut u shpall “kampion rajonal” për reforma në energjetikë nga Bashkësia Evropiane e Energjetikës. Përmes Ligjit të ri për energjetikë dhe me investimet e forta në burime të ripërtërishme në energji dhe gazifikim, Qeveria stabilizoi rritjen e pjerrët të çmimit të energjisë elektrike.  Sot qytetarët paguajnë çmim mesatar më të ulët për kilovat/orë, në krahasim me kohën e qeverisë së mëparshme, kur çmimi i energjisë elektrike u rrit për 100%, tha Kryeministri Zaev.

Ai shtoi se Qeveria, në mënyrë afatgjate dhe strategjike, ka siguruar rregullore dhe politika për shfrytëzimin maksimal të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe nga ky aspekt zhvillimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike që përdorin diellin, erën dhe ujin ishin thelbësore në Strategjinë e Energjetike të RMV-së.

Me Projektin për projektimin dhe instalimin e sistemeve fotovoltaike në 36 komuna dhe në 108 objekte publike, jo vetëm që rritet prodhimi i energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme, por edhe zvogëlohen shpenzimet e energjisë elektrike, të institucioneve publike dhe objekteve të cilat janë themeluar nga komunat.

“Shuma e përgjithshme e Programit, bashkëfinancuar nga  Qeveria dhe BE-ja është 20,6 milionë euro. Programin e zbatoi Ministria e Financave, në bashkëpunim me Bankën Botërore si segment i veçantë për IPA investimet rurale në kuadër të projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale”, tha Kryeministri Zaev dhe shpjegoi se kursimet e përgjithshme për të gjitha 108 objekte në vit arrin rreth 190.000 euro dhe në pajtim me kursimin, investimi do të kthehet për 7,5 vjet.

Ministrja e Financave, Nina Angellovska tha se përdorimi i energjisë diellore fotovoltaike shënon rritje në tërë botën pasi teknologjitë përmirësohen dhe shpenzimet materiale ulen.

“Energjia diellore është një burim primar i energjisë së ripërtërishme dhe është veçanërisht e rëndësishme për vendet e pazhvilluara. Si vend me diell me të vërtetë duhet të përdorim këtë burim për të gjeneruar energji, e cila është gjithashtu më e lirë dhe efektet janë të dyanshme”, tha ministrja Angellovska.

Angellovska i numëroi efektet e kursimeve nga instalimi i sistemeve fotovoltaike dhe kumtoi se kopshti i fëmijëve “7 Shtatori” në Pehçevë, për muajt maj, qershor, korrik dhe gusht të viti 2018 ka faturë të energjisë elektrike 15.118 denarë, ndërsa për të njëjtat muaj këtë vit fatura është  8.672 denarë. Kursimi për katër muaj është 6,513 denarë, gjegjësisht faturat për këto katër muaj janë më të ulëta për 43% si rezultat i sistemeve të instaluara fotovoltaike.

Të ngjashme janë edhe kursimet në të gjitha objektet e tjera publike, ndërsa si më domethënës është shembulli i stacionit të pompave për sistemin e ujësjellësit GERIZI, në fshatin Tarinci, në komunën Karbinci, ku faturat e energjisë elektrike për periudhën maj-korrik janë ulur prej 429,326 denarë vjet në 82.412 denarë këtë vit, ose kursimi për tre muaj është 346.914 denarë, pra faturat për këta tre muaj janë më të ulëta për 81%.

Në fund ministrja e Financave Angellovska tha se përmirësimi i efikasitetit energjetik nuk është vetëm angazhim, por edhe qëllim i shndërruar në rezultate.

“Politikat e kësaj Qeverie në pjesën e energjetikës tregojnë se vendi është në rrugën e duhur. Ne sollëm rregullore në përputhje me atë të Evropës. Kemi reformuar sektorin e energjetikës. Dhe ky nuk është vetëm vlerësimi ynë. Bashkësia e Energjetikës  tha tre vjet më parë se shteti  dështoi në reformat dhe se është në një periudhë të vazhdueshme të ngërçit energjetik. Kjo Qeveri tregoi se ndryshimet ndodhin si rezultat i punës së planifikuar, në interes të qytetarëve”, tha ministrja Angellovska.