Nga mbledhja e 172-të e Qeverisë: Propozim-vendim për asgjësimin dhe anulimin e pasojave juridike nga lustrimi; Vendim për simbolet e uniformës së Njësisë së re policore për ndërhyrje të shpejtë të MPB-së

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e saj të rregullt të 172-të miratoi tekstin e Propozim-ligjit për shpalljen e asgjësimit dhe anulimit të akteve juridike, veprimeve, masave dhe pasojave juridike nga procedurat e lustrimit.
Me zgjidhjen e re të propozuar, bëhet largimi i pasojave të dëmshme te viktimat e këtyre procedurave para Komisionit për verifikimin e fakteve, para gjyqeve kompetente dhe organeve të tjera dhe në harmonizim me këtë Propozim-ligj për personat e dëmtuar nga aktet dhe veprimet e përmendura, parashihet kompensim i dëmit.
Me këtë Propozim-ligj, i cili do të dërgohet për miratim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, rrumbullakohet korniza ligjore si qëllim strategjik i reformës në gjyqësor në raport me sigurimin e pavarësisë dhe paanësisë, me qëllim të realizimit të strategjisë për vendosjen e kornizës ligjore për anulimin e masave dhe pasojave juridike nga procesi i lustrimit.
Në këtë mbledhje, me propozim të MPB-së, Qeveria e miratoi ndryshimin e rregullores për uniformë dhe simbolet e uniformës së policisë, me qëllim të harmonizimit me strukturën e re organizative në Sektorin e punëve të brendshme në Shkup, sipas së cilës në vend të Njësisë së deritanishme për rend dhe qetësi publike, Njësisë për përgjigje dhe ndërhyrje të shpejtë (Alfa) dhe Njësisë për asistencë, zbatim dhe sigurim të transportit, formohet Njësia e policisë për intervenim të shpejtë (EIP).
EIP do të jetë përgjegjëse për ndjekjen e: sigurisë publike në rajonin e Sektorit për punë të brendshme, veprimin dhe marrjen e masave nga fusha e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e krimit dhe veprimin sipas kërkesës për asistencë për realizimin e vendimit ekzekutiv.
Me propozim nga Ministria e Drejtësisë, u miratua informata sipas të cilës Maqedonia e Veriut do të nënshkruajë Marrëveshjen Ndërkombëtare për shkëmbimin e të dhënave për kontrollin e deklaratave për gjendje pronësisë.
Me ratifikimin e kësaj Marrëveshje, Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, do të ketë të drejtë të kërkojë informata për gjendjen pronësore të të gjithë funksionarëve publik, duke përfshirë edhe ata nga gjyqësori, të cilët kanë ose fitojnë prona dhe mjete financiare në vendet e huaja.

Qeveria e RMV-së solli Vendim për fillimin e procedurës për ndarjen e marrëveshjes për vendosjen e partneritetit publik privat për financim, projektim, ndërtim, menaxhim, mirëmbajtje dhe zhvillim të sistemit distributiv të gazit natyral në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe angazhoi Kabinetin e Qeverisë së RMV-së, Kabinetin e zëvendëskryeministrit të ngarkuar për Koordinimin e Resorëve Ekonomik, Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, Komisionin rregullator për energjetikë, dhe SHA NER Shkup, që në afat prej 3 ditësh, deri te Ministria e Ekonomisë të dorëzojnë nominime për anëtar dhe zëvendës anëtarë në Komisionin për zbatimin e procedurës për ndarjen e Marrëveshjes për vendosjen e partneritetit publik privat për ndërtimin e sistemit të ri distributiv të gazit natyral në territor.
Pas konsultimeve të gjera me Këshillin e investitorëve të huaj në vendin tonë, Qeveria miratoi vendim që detyrimet e importit - tarifat doganore për prodhime të caktuara (komponentë) të nevojshëm për prodhimin e produkteve të përparuara në vitin 2020, të ulen për 50% në mënyrë që të rritet konkurrenca e eksportit të industrisë vendore e cila prodhon prodhime të përparuara teknologjike.
Me këtë vendim, shuma e këtyre detyrimeve doganore do t’u afrohet tarifave doganore të cilat zbatohen në Bashkimin Evropian, që do të thotë do të mundësohet të përmirësohet konkurrenca e kompanive vendore dhe atraktiviteti më i madh i vendit drejt tërheqjes së kompanive të reja me kapital të huaj nga sektorë të ndryshëm ekonomik.
Në këtë mbledhje Qeveria e miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mjedis jetësor i cili më saktë përkufizon dhe krijon metodologji për identifikimin e sistemit për menaxhim me zonat e ndotura për tejkalimin e ndikimeve negative në mjedisin jetësor dhe shëndetin njerëzor.
Në mënyrë plotësuese, me ndryshimet në propozim–ligjin e ri rregullohet pjesa për financimin e masave për përparimin e mjedisit jetësor dhe harmonizohen dispozitat për politikën kundërvajtëse dhe mbikëqyrjen e inspektimit.
Me rastin e informacionit për nismën e paraqitur të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për ngritjen e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë së Zëvendëskryetarit të Qeverisë të ngarkuar për çështje ekonomike dhe koordinim me resorë ekonomikë, në mbledhjen e sotme u përcaktua përgjigja e Qeverisë, e cila do të dërgohet në KSHPK.
Në tekst në përgjigje thuhet se pika Propozim-vendimi për heqjen e tarifës doganore për akumulatorët jon-litium elektrik është tërhequr nga mbledhja e 29-të e Qeverisë më 26 shtator dhe përsëri është kthyer për miratim në mbledhjen e 36-të më 7 nëntor, pasi në ndërkohë zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje ekonomike dhe koordinim me resorë ekonomikë, Koço Angjushev me shkrim njoftoi Qeverinë se tërhiqet nga pjesëmarrja për miratimin e propozim-vendimit.
Në arsyetimin e kësaj pike të miratuar në këtë mbledhje theksohet se anëtarët e Qeverisë nuk kanë autorizime dhe fuqi të pakufizuara dhe se autorizimet e tyre individuale janë kontrolluar nga Qeveria si organ kolektiv, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Qeverinë dhe se në këtë rast nuk është vërtetuar shkelje e dispozitave të Ligjit për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave, për arsye të të cilit nuk ka bazë ligjore për ngritjen e përgjegjësisë.
Sot Qeveria miratoi plotësimin e Strategjisë së komunikimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut 2019-2020, e cila ka për qëllim në mënyrë transparente të informojë për politikat e Qeverisë. Strategjia e komunikimit plotësohet me tri dokumente në pjesën e komunikimeve të krizës, komunikimeve të brendshme, si dhe 8 moduleve për trajnim zyrtar për futje në sistemin e komunikimeve qeveritare. Me këto dokumente definohen rolet dhe përgjegjësitë e krizave dhe komunikimeve të brendshme dhe vendosen standardet dhe aftësitë që duhet t’i posedojnë komunikuesit qeveritarë.
Në mbledhjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut u miratua informacioni për ngjarjen e 23 nëntorit të këtij viti, kur në Teatrin Popullor të Maqedonisë u organizua manifestimi me rastin e jubileut të grupit të tifozëve “Shvercerët”.
Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Kulturës, me procedurë të duhur, të urdhërojë drejtoreshën e TPM-së, që nga organizatorët e ngjarjes të kërkojë kompensim të dëmit të bërë gjatë ngjarjes, ndërsa drejtoreshës t’i shqiptohet gjobë me ulje të pagës prej 15% për 3 muaj, pasi që ka bërë gabim në vepër për dhënien në përdorim të TPM pa marrëveshje me shkrim.