Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Sapo përfundoi mbledhja e jashtëzakonshme online e Qeverisë dhe dua ta informoj opinionin për konkluzionet që Qeveria mori në lidhje me vendimin për shpalljen e ditëve të zisë dhe varrimin e viktimave nga zjarri në Koçan, që do të mbahet nesër, më 20 mars 2025.
Qeveria miratoi hapat e mëposhtme:
1. Institucionet shtetërore detyrohen të rekomandojnë që vetëqeverisja lokale dhe punëdhënësit në sektorin privat t’i lirojnë nga puna të punësuarit në territorin e Koçanit.
2. Institucionet shëndetësore, arsimore dhe kopshtet duhet të organizojnë ofrimin e shërbimeve sipas nevojave.
3. Ministria e Punëve të Brendshme detyrohet të ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë dhe trafikut.
4. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza dhe Njësinë Territoriale të Zjarrfikësve në Koçan, duhet të ndërmarrin masa në përputhje me kompetencat e tyre.
Këto janë konkluzionet e miratuara nga Qeveria. Më lejoni gjithashtu të informoj opinionin për protokollin e sigurisë dhe udhëzimet për raportim etik nga varrimi i viktimave.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), si dhe me Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), ka përgatitur protokoll sigurie për raportimin nga varrimi i viktimave të ngjarjes tragjike që ndodhi më 16 mars në Koçan.
Për përfaqësuesit e mediave që do të raportojnë nga ngjarja, shërbimet policore do të sigurojnë një zonë të veçantë përgjatë rrugës së kortezhit, 300 metra nga hyrja e kapelës deri te varrezat e qytetit në Koçan. Kjo zonë do të ruhet nga pjesëtarët e MPB-së për të garantuar rendin dhe sigurinë në zonën e përcaktuar. Në këtë zonë do të ndalohet gjithashtu përdorimi i dronëve.
Ky protokoll mediatik ka për qëllim të mbrojë privatësinë e familjeve të viktimave, duke mundësuar njëkohësisht që gazetarët dhe kameramanët ta ndjekin ngjarjen në mënyrë të sigurt nga një distancë e përshtatshme.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj tragjedie dhe standardet etike universale për raportim profesional, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM) u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave të respektojnë parimet etike të mëposhtme:
• Respektimi i dhimbjes personale dhe dinjitetit – Gazetarët duhet të raportojnë me empati, pa cenuar privatësinë e familjeve të viktimave.
• Shmangia e senzacionalizmit – Raportimi mbi ngjarjet tragjike duhet të jetë i lirë nga senzacionalizmi, spekulimet apo narrativat emocionalisht të ngarkuara, si dhe nga fotografitë dhe videot tronditëse.
• Publikimi i informacionebe të verifikuara – Duhet të transmetohen vetëm fakte të konfirmuara për të parandaluar dezinformatat.
• Ruajtja e balancës dhe paanshmërisë – Mediat duhet të sigurojnë që raportimi i tyre të mos shkaktojë shqetësim të opinionit.
Përveç kësaj, rikujtojmë se Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) në njoftimin e saj të 18.03 për këtë tragjedi gjithashtu e theksoi rëndësinë e raportimit etik. Karta Globale e Etikës e IFJ nënvizon detyrën e gazetarëve për të respektuar dinjitetin e njerëzve dhe për ta vënë saktësinë mbi shpejtësinë kur raportojnë mbi këtë ngjarje tragjike.
Me qëllim të sigurimit të lëvizjes pa pengesa dhe për identifikim, punonjësit e mediave duhet të kenë me vete shenjat PRESS dhe legjitimacionet gazetareske të lëshuara nga shtëpitë e tyre mediatike.