Menaxhim me mediat zyrtare sociale si kanale zyrtare për komunikim

Përhapja e mediave sociale dhe digjitale i mundëson Qeverisë që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të dyanshme të komunikojë me qytetarët, të informohet për interesat e tyre dhe ta marrë parasysh mendimin gjatë krijimit dhe zbatimit të politikave qeveritare. Gjithnjë e më tepër qytetarë i shfrytëzojnë mediat sociale si mjet të informimit dhe prej aty nevoja për komunikim të shtuar me opinionin përmes mediave sociale për informim, e së këndejmi edhe nevoja për komunikim të shtuar përmes mediave zyrtare sociale të institucioneve. Qeveria ka për qëllim ta tërheqë dhe ta mbajë vëmendjen e qytetarëve përmes mediave sociale.

Kodi i sjelljes së nëpunësve qeveritar për marrëdhënie me opinionin

Rregulla

  1. Nuk publikohen e as shpërndahen përmbajtje që do të mund të konsiderohen si fyese ndaj individëve ose ndaj një grupi të caktuar të qytetarëve
  2. Nuk publikohen e as nuk shpërndahen informacione, me të cilat do të ishin shkelur të drejtat autoriale të dikujt
  3. Nuk publikohen e as nuk shpërndahen informacione, me të cilat do të bëhej promovim selektiv ose favorizim i subjektit të caktuar juridik ose privat, me çka do të ndikohej në krijimin e konkurrencës jolojale
  4. Nuk publikohen e as nuk shpërndahen informacione, të cilat janë të klasifikuara ose që kanë status të tillë, ose informacione të cilat do t’i kishin ekspozuar kolegët e Juaj ose Ju personalisht në rrezik, pa dallim nëse bëhet fjalë për krim, terrorizëm ose spiunazh. Informatat për krim, terrorizëm ose spiunazh paraqiten te organi/institucioni përkatës ose te eprori
  5. Nuk publikohen e as nuk shpërndahen fotografi, në të cilat mund të dallohet identiteti i personit të mitur, duke mos marrë paraprakisht leje me shkrim nga prindërit/kujdestarët e tyre, përveçse kur ngjarja është publike ose në ambient të hapur
  6. Nuk publikohen e as nuk shpërndahen përmbajtje, për të cilat nuk jeni të sigurt a janë për opinionin. Në këtë rast duhet të kërkohet këshillë nga ndonjë koleg ose nga eprori
  7. Informacione të reja, të cilat për herë të parë nxirren në opinion, duhet fillimisht të publikohen në kanalet zyrtare të Qeverisë ose të përfaqësuesve më të lartë të institucioneve
  8. Nuk publikohen informacione të pasakta ose spekulime, me të cilat në çfarë do qoftë mënyre do të ishin sjellë qytetaret në huti

Udhëzues për përdorimin e kanaleve private të mediave sociale nga komunikuesit qeveritarë

Gjatë menaxhimit me kanalet private në mediat sociale të komunikuesve të qeverisë, duhet të përcillen udhëzime të caktuara, që nuk bazohen në ndalesa, por në rregulla dhe rekomandime. Nuk duhet të ekzistojë ndalesë që të punësuarit t’i shfrytëzojnë mediat sociale, me atë që ka rregulla të caktuara.

Rregulla

  1. Publikimi i përmbajtjeve në emër personal mund të ndërlidhet me pozitën dhe institucionin në të cilin punon komunikuesi i qeverisë, përkatësisht, pozita e punës komunikuese qeveritare dhe privatësia e personalitetit vështirë mund të ndahen. Për këtë shkak, çdo përmbajtje e profilit personal mund të trajtohet dhe të jetë e perceptuar si qëndrim i institucionit, madje edhe në raste kur qëndrimi është i theksuar si personal. Duhet të merret parasysh nëse përmbajtja e shpërndarë mund të shkaktojë publicitet negativ dhe prishje të reputacionit të institucionit, në të cilin punon komunikuesi qeveritar.
  2. Përmbajtjet e shpërndara në kanalet personale të mediave sociale, mund të mbeten publike, madje edhe nëse janë të shpërndara vetëm në kanale private dhe të mbyllura. Pjesëmarrja në diskutimet dhe aktivitetet eventuale politike ose publike, të cilat mund ta komprometojnë paanshmërinë e komunikuesit qeveritar, tërësisht duhet të shmangen.
  3. Aktivitetet e komunikuesve qeveritar, si përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, janë nën monitorim të veçantë nga shoqëria civile, nga subjektet politike dhe nga mediat, me çka matet sjellja e pushtetit ekzekutiv. Komunikimet jo përkatëse, të cilat përmbajnë përmbajtje diskriminuese, fyese, kërcënuese ose elemente të gjuhës së urrejtjes, mund të pasqyrohen si karakteristika të institucionit, të cilin e përfaqësojnë komunikuesit qeveritar. Publikimet e tilla gjithmonë duhet të shmangen.
  4. Përmbajtjet e shpërndara përmes mediave sociale kanë rëndësi të njëjtë me përmbajtjet e shpërndara përmes cilit do qoftë medium tjetër tradicional ose elektronik. Rrjedhimisht, në kanalet private të mediave sociale duhet të shmangim:
  • Promovim të anshmërisë partiake-politike
  • Aktivitete të cilat shkaktojnë reputacion negativ për institucionin në të cilin punon komunikuesi qeveritar ose për institucion tjetër
  • Informacione të pathëna deri në fund dhe të paqarta, të cilat lënë hapësirë për shpjegime të ndryshme ose kontekst të ndryshuar
  • Fyerje, gjuhë e cila nxit urrejtje dhe diskriminim ose mund të kuptohet në atë mënyrë
  • Publikimi i informacioneve të klasifikuara ose përmbajtje zyrtare, të cilat ende nuk janë të publikuara në opinion
  • Pjesëmarrje në aktivitete joligjore ose sjellje jo përkatëse
  • Shkelje e kushteve të cilat kanë të bëjnë me marrëdhënien e punës së komunikuesit qeveritar, në çfarë do qoftë mënyre
  1. Publikimi gjatë orarit të punës është joadekuat. Komunikuesit e qeverisë, njëlloj edhe si nëpunësit e tjerë publik dhe përfaqësues të institucioneve, kanë pozita dhe orar të punës të qasshëm në mënyrë publike. Çdo publikim i përmbajtjeve në mediat sociale gjatë orarit të punës mund të trajtohet si shmangie e detyrave të punës dhe me atë të shkaktojë reputacion negativ të institucionit, në të cilin punon komunikuesi qeveritar.