Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska sot mori pjesë në panel diskutimin e titulluar “Drejtë(si) për fëmijët - BE për drejtësi për minorenët dhe drejtësi sipas masës së fëmijëve”, projekt i financuar nga BE-ja dhe i bashkë-financuar nga UNICEF-i, ku morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme dhe ai i Drejtësisë, Oliver Spasovski dhe Bojan Mariçiq, ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut Dejvid Gir dhe përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia di Xhovani.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes Qendrave për Punë Sociale, në përputhje me procedurën e parashikuar në Ligjin për të drejtat e fëmijëve, kujdeset që çdo fëmijë që bie ndesh me ligjin të marrë mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme në tejkalimin e problemeve”, tha ministrja Shahpaska, e cila e theksoi rëndësinë e këtij procesi për fëmijët në mënyrë që t’i rikthejë ata në rrugën e duhur, për të krijuar personalitete të shëndosha dhe ndërtues të kësaj shoqërie.
“Reforma sociale, të cilën e filluam në vitin 2019, parashikon formë të re të punës me familjet në rrezik social, duke përfshirë edhe fëmijët, case management – respektivisht menaxhim me raste. Menaxhimi i rastit nënkupton përfshirjen e punonjësve profesionistë nga QPS të cilët duhet t’u përgjigjen nevojave individuale të secilit fëmijë veçmas”, potencoi Shahpaska dhe e theksoi specifikën e secilit rast dhe qasjen dhe planin individual ndaj secilit fëmijë, veçanërisht në rastet kur familja nuk mund të mbrojë fëmijën pa mbështetje nga shteti ose organizata të tjera.
“Qëllimi është të arrihet një qasje e qëndrueshme multidisiplinare dhe e ekuilibruar për të trajtuar problemin e delikuencës së të miturve, duke forcuar dhe avancuar sistemin për zbatimin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve në rrezik përmes bashkëpunimit ndër-sektorial, protokolleve dhe funksionimit të secilit segment të sistemit për mbrojtjen e fëmijëve brenda sistemit social, shëndetësor, policor dhe ligjor”, nënvizoi Shahpaska.
Ministrja theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Shkup është e përkushtuar për një qasje gjithëpërfshirëse për mbrojtjen dhe parandalimin e fëmijëve nga dhuna.
“Trupi koordinues nacional për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga abuzimi dhe neglizhenca në vitin 2019 e hartoi Strategjinë për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna (2020-2025) dhe Planin e Veprimit (2020-2022) në përputhje me të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare”, theksoi ministrja Shahpaska.
Kjo strategji paraqet vizionin, qëllimet, qasjen strategjike të Qeverisë dhe aktivitetet që do të ndërmerren dhe promovohen në parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha llojet e dhunës.