Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, me ftesë të Asociacionit për kërkime, komunikime dhe zhvillim “Javnost” dhe Shoqatës gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ), iu drejtua “Forumit të kompanive të mira”, të mbajtur përmes video konferencës, ku ai foli për sfidat me të cilat përballet shoqëria gjatë krizës me pandeminë e Covid-19, si dhe aktivitetet e ndërmarra nga Qeveria për tejkalimin e këtyre sfidave, rimëkëmbjen në periudhën post-Covid dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri, në fjalën e tij hyrëse theksoi se kriza Covid kishte një ndikim të veçantë në grupet e lëndueshme të qytetarëve. Një nga mësimet e nxjerra nga kjo krizë është se problemet e brendshme të vendeve përkojnë me problemet e nivelit global dhe kjo është arsyeja pse është veçanërisht e rëndësishme të punohet në tejkalimin e problemeve dhe sfidave me një qasje gjithëpërfshirëse, kurse vlerat themelore gjithmonë duhet të bazohen në idenë që të kujdesemi për njëri-tjetrin.
“Besoj se ekonomia botërore do të ketë një zhvendosje serioze drejt një ekonomie sociale, ku fokusi do të përqendrohet në kompanitë me përgjegjësi shoqërore, ata që punojnë për të mirën e shoqërisë, dhe të cilët, duke gjeneruar fitime, krijojnë mundësi me rëndësi të madhe për grupe të lëndueshme në shoqëri“. Sipërmarrësia sociale është diçka në të cilën të gjithë duhet të përqendrohemi. Besoj se në botë ka shumë mundësi të pashfrytëzuara në këtë fushë dhe se shumë ide do të shndërrohen në biznese të mëdha sociale që do t’i përgjigjen shumë sfidave sociale, duke ndihmuar shoqërinë të bëhet më e fortë, më e mirë dhe më e llojllojshme. Qeveria e Maqedonisë së Veriut njohu potencialin e madh të sipërmarrësisë sociale dhe ne jemi të gatshëm të përshtatim sistemin tonë për ide të reja dhe mënyra të reja të krijimit të biznesit me qëllim të ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse”, tha Bytyqi.
Bytyqi kujtoi se nga viti 2018, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Këshillit kombëtar për zhvillim të qëndrueshëm, konfirmoi angazhimin për zbatimin e Agjendës së Kombeve të Bashkuara 2030 dhe theksoi rëndësinë e integrimit stabil të Qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në dokumentet strategjike kombëtare dhe planet lokale.
“Jemi të përkushtuar për arritjen e 17 qëllimeve si pjesë e Agjendës 2030, një kornizë universale për forcimin e veprimit kolektiv drejt arritjes së qëllimeve dhe sfidave të përbashkëta. Punojmë me një fokus të fortë në uljen e varfërisë, përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies, përmirësimin e cilësisë së arsimit, krijimin e një mjedisi më të pastër duke krijuar qytete dhe komunitete të qëndrueshme me energji të arritshme dhe të pastër, ngritjen e vetëdijes dhe aksionit klimatik, uljen e pabarazisë dhe barazisë gjinore, krijimin e paqes, drejtësisë dhe institucioneve të forta së bashku me punën e denjë dhe rritjen ekonomike dhe forcimin e industrisë, inovacioneve dhe infrastrukturës”, shtoi Bytyqi.
Zëvendëskryeministri edhe një herë iu referua gjithëpërfshirjes ndaj së cilës qaset Qeveria në procesin e krijimit të strategjive, politikave dhe masave kombëtare dhe vuri në dukje se zgjidhjet dhe fitoret më të mira arrihen kur punojmë së bashku për t’i krijuar ato.
“E ardhmja qëndron në përmirësimin e botës dhe përmirësimi i botës do të jetë i mundur vetëm nëse të gjithë bëhemi bashkë, punojmë së bashku dhe përpiqemi për të njëjtat qëllime, duke krijuar mundësi për të gjithë dhe duke qenë të vetëdijshëm se secili meriton të përfshihet”, përfundoi fjalimin hyrës zëvendëskryeministri Bytyqi në “Forumin e kompanive të mira”.
Këtij forumi iu drejtua edhe ambasadorja i Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, Anke Holshtajn, si dhe drejtorja ekzekutive e Asociacionit për kërkime, komunikime dhe zhvillim “Javnost”, Klimentina Ilievski, kurse në panelet e planifikuara pas fjalimit oficial, diskutuan edhe përfaqësues të kompanive të njohura ndërkombëtare Ikea dhe Dektalon, përfaqësues të Organizatës ndërkombëtare të punës (ILO) dhe Komisionit Evropian, si dhe folës të tjerë të njohur.