Zaev: E avancojmë bashkëpunimin e Qeverisë me Kryqin e Kuq , përmes Rezervave të Mallrave, sigurohet ndihma humanitare që do të jetë në dispozicion për qytetarët në çdo kohë

Kryeministri Zoran Zaev sot vizitoi Kryqin e Kuq të Maqedonisë së Veriut, ndërsa gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj organizate humanitare, Sait Saiti, u prezantua Programi për Bashkëpunim mes Kryqit të Kuq dhe Qeverisë për sigurimin e mallrave për shpërndarje gjatë rasteve emergjente.

Rezervat e mallrave do të sigurohen me fonde të veçanta nga Qeveria, të cilat do të përdoren për të siguruar një sasi të caktuar ndihme humanitare, e cila do të jetë në dispozicion në çdo kohë për qytetarët e prekur në rastet e fatkeqësive natyrore dhe situatave të krizës.

"Sot, Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut, me gjithë përvojën, organizimin dhe bazën vullnetare në të gjithë vendin, me mbi 500 vullnetarë dhe ekipe mobile merr pjesë në ballafaqimin me kërcënimet nga  KOVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

"Në luftën tonë për t’u ballafaquar krizën shëndetësore me pandeminë, ata janë në rendin e parë bashkë me mjekët dhe tërë stafin mjekësor dhe ndihmës tjetër në spitale, pjesëtarët e MPB-së, qytetarët tanë me uniformë dhe personeli civil i Armatës”, tha Kryeministri Zaev dhe theksoi se vullnetarët e Kryqit të Kuq ishin në rendet e para, pranë shpëtimtarëve nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, zjarrfikësit, policia dhe ushtarët gjatë zjarreve të mëdha në vendin tonë gjatë muajit gusht.

Kryeministri Zaev theksoi se përkushtimi i këtyre vullnetarëve nuk është vetëm për gjatë kohës së fatkeqësive dhe se ata janë vazhdimisht në terren dhe ndihmojnë të pastrehët, familje në nevojë, si dhe qytetarëve që ju nevojitet ndihmë.

“Për të gjitha këto arsye dhe për shkak të rolit të Kryqit të Kuq në jetën tonë të përditshme, sot ju njoftojmë se po e përforcojmë bashkëpunimin e Qeverisë me Kryqin e Kuq. Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pranoi propozimin e kësaj organizate humanitare për krijimin e një partneriteti afatgjatë të qëndrueshëm me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të mobilizuar kapacitetet e përgjithshme në vend duke siguruar në mënyrë të vazhdueshme mallra rezervë për ndihmë humanitare që do të ishin në dispozicion për reagim urgjent gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme", theksoi Kryeministri Zaev dhe shtoi se për këtë qëllim u nënshkrua Programi për bashkëpunim mes Kryqit të Kuq dhe Qeverisë për të siguruar mallra rezervë për veprim në raste emergjente.

Ai theksoi se me këtë do të sigurohen rezerva të përshtatshme të mallrave dhe mbështetje logjistike për ndihmë humanitare, do të sigurojë instrumente për mobilizimin mjeteve financiare, të cilat do të ndahen në bazë vjetore për veprim në raste emergjencash dhe fatkeqësish. Rezervat e mallrave do të sigurohen me mjete të veçanta nga Qeveria që do të përdoren për të siguruar një sasi të caktuar të ndihmës humanitare që do të jetë në dispozicion në çdo kohë për qytetarët e prekur nga fatkeqësitë natyrore dhe krizat. Aksioni i tyre fisnik është një frymëzim dhe inkurajon vullnetarët e rinj të gatshëm për të ofruar vazhdimisht ndihmë, ngushëllim, fjalë të mirë për solidaritet, humanizëm dhe empati", tha Kryeministri Zaev.
 

Sekretari i Përgjithshëm i Kryqit të Kuq Saiti, theksoi se organizata zbaton aktivitete dhe shërbime të ndryshme për avancimin e mirëqenies sociale dhe shëndetësore të qytetarëve, ndërsa për këtë qëllim vullnetarët dhe fondet mobilizohen vazhdimisht për të adresuar sfidat humanitare që dalin si rezultat i ndryshimeve klimatike dhe fatkeqësive natyrore të cilat fatkeqësisht janë gjithnjë e më të pranishme në zonën tonë, siç janë zjarret që ndodhën tani shpejtë në vend.

"Në këtë drejtim, dua të theksoj iniciativën e fundit të përbashkët të Kryqit të Kuq dhe Qeverisë për sigurimin e një qasje komplementare të qëndrueshme ndaj gatishmërisë për veprime emergjente në raste fatkeqësish. Ne besojmë se ky program do të jetë një bazë e mirë për përgjigjen tonë të përbashkët ndaj sfidave humanitare që ndodhin në vendin tonë dhe në rajon si rezultat i krizave dhe fatkeqësive", tha Saiti.

Gjatë vizitës, Kryeministri Zaev u anëtarësua dhe u bë me uniformë të vullnetarëve të Kryqit të Kuq. Gjithashtu në takim ai pranoi medalje të artë të Kryqit të Kuq, që ndahet për angazhime të veçanta dhe bashkëpunim në realizimin e misionit të kësaj organizate humanitare.