“Në prezantimin tim njoftova se nga dita e parë do të merrem me krizën energjetike, pandeminë dhe standardin jetësor të qytetarëve, me pensionet dhe pagën minimale”, tha Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistën për televizionin Kanal 5.
“Javën e ardhshme nis dialogu social për shumën e pagës minimale në vend, ku përfshihen sindikatat dhe kompanitë. Besoj se në këtë proces duhet të krijohet një metodologji e përshtatshme i cili do të ndërlidhet me produktivitetin e punës. Madje të gjitha kanë përgjegjësi – si punonjësit ashtu edhe menaxherët. Menaxherët duhet të rrisin produktivitetin me futjen e instrumenteve të reja, proceseve të reja teknologjike", tha Kovaçevski.
Rreth reagimeve lidhur me Ligjin për të dielën, ditë jopune, Kryeministri Kovaçevski tha se ky ligj është miratuar përmes një procesi gjithëpërfshirës në të cilin janë përfshirë odat, sindikatat dhe partnerët socialë dhe se e përkrah konceptin që çdo punëtor të ketë një ditë të lirë.
“Unë jam në anën e punëtorëve. Të gjithë punëtorët meritojnë ta kenë të dielën si ditë jo pune për ta kaluar me fëmijët dhe familjet e tyre. Mirëpo, kemi pasur parasysh se ka industri që nuk mund të mbyllen të dielave dhe procedura që nuk mund t'i mbyllni të dielave siç janë procedurat doganore ose proceset logjistike, gjithçka është marrë parasysh në atë dialog social”, theksoi Kovaçevski.
Në këtë intervistë, Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi se do të ketë rritje të pensioneve.
“Sa do të jetë, nuk mund ta tregoj me numra me numra, sepse dua që të jenë të sakta. Tashmë i bëjmë analizat dhe do të thërrasim shoqatat e pensionistëve, partinë e pensionistëve dhe së bashku me Ministrinë e Financave dhe Fondin Pensional, në përputhje me mjetet buxhetore që kemi në dispozicion do të punojmë në rritjen e pensioneve. Buxheti është tërësisht i likuiduar, ndërsa Fondi Pensional ka mjete me të cilat disponon”, tha në intervistën për televizionin Kanal 5, Kryeministri Dimitar Kovaçevski.