Delegacioni zyrtar i Maqedonisë së Veriut në takim me Odat Ekonomike të Abu Dabit dhe Sharxhas - Mundësitë e hapura për bashkëpunim ndërmjet kompanive në disa sektorë, por edhe investime në bujqësi, industri përpunuese dhe energji

Gjatë ditës së dytë të vizitës zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe menjëherë pas konferencës së biznesit të mbajtur në Ekspo Dubai, një delegacion i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi ka zhvilluar dy takime të ndara me përfaqësues të Odës Ekonomike të Emirateve Abu Dabi dhe Sharxha.

Gjatë takimeve, zëvendëskryeministri shoqërohej nga ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Emiratet e Bashkuara Arabe, Abdulkadër Memedi, drejtori i Fondit të Inovacioneve dhe Zhvillimit Teknologjik, Festim Halili dhe përfaqësues të odave ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

 

Në takimin me kryetarin e Odës Ekonomike të Abu Dabit, Abdul Muhamed al Mazrui dhe drejtorin e përgjithshëm të odës, Mohamed Helal al Mehri, u diskutua për zbulimin e mundësive për bashkëpunim dhe u konstatua se ekziston mundësia e vendosjes së bashkëpunimit në prodhimin bujqësor, përpunimin dhe paketimin e ushqimeve dhe pijeve, si dhe në sektorin e energjisë, për të shfrytëzuar përvojën në ndërtimin e objekteve të prodhimit nga burimet e rinovueshme.

Në të dyja takimet me Odën Ekonomike të Abu Dabit dhe Sharxhas, zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Nuredini prezantuan mundësitë e investimit në vendin tonë, si dhe përfitimet e parashikuara nga Ligji për Investimet Strategjike, Ligji për Energjinë, Ligji për Mbështetje Financiare të Investimeve dhe Ligji për kontrollin e ndihmës shtetërore, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka kushte të shkëlqyera për të bërë biznes, Qeveri të hapur dhe të orientuar drejt partneritetit, si dhe masa mbështetëse konkurruese. Periudha pas Covid-it, pas mësimeve të nxjerra gjatë krizës së Covid-it, duhet të përdoret për investime në objekte prodhuese që do të jenë pranë tregjeve evropiane dhe janë pjesë e zinxhirëve të vlerës së kompanive të mëdha ndërkombëtare. 

Delegacioni zyrtar nga Maqedonia e Veriut u takua edhe me kryetarin e Odës Ekonomike të Sharxhas, Abdullah Sultan Al Ovais, si dhe u njoh me potencialin e kësaj ode ekonomike për organizimin e panaireve të mëdha ndërkombëtare, të cilat mund të shfrytëzohen për vendosjen e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet odave të Maqedonisë së Veriut dhe EBA dhe hapjen e mundësive më të mëdha për plasimin e produkteve nga vendi ynë në tregjet ndërkombëtare.