Kovaçevski: Të gëzohemi dhe të jemi të krenarë për pranimin e KOM-AO si kishë autoqefale e barabartë në bashkësinë ortodokse

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski realizoi takim me kreun e Kishës Ortodokse Maqedonase- Arqipeshkvia e Ohrit, Kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë z.z. Stefan, me rastin e vendimit për marrjen e statusit autoqefal me të cilin KOM-AO pranohet si e barabartë me kishat e tjera simotra në bashkësinë ortodokse.

Në takim, Kryeministri Kovaçevski Kryepeshkopit  të Ohrit dhe Maqedonisë z.z. Stefan ia dorëzoi letrën e urimit në emër të tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në vazhdim të kësaj kumtese e përcjellim në tërësi përmbajtjen e letrës:

Hirësia Juaj, Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë z.z. Stefan,

Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, juve, anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryepeshkopata e Ohrit, klerikëve dhe murgjve të nderuar, si dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë në vendin tonë, ju uroj për vendimin historik të KOM-AO që të pranohet si kishë autoqefale.

Krenohuni dhe gëzohuni për shkak se brezit tuaj i takoi nderi dhe fitorja e KOM-AO, si pasardhës i Kryepeshkopatës së lashtë të Ohrit, të shënohet si autoqefale, e barabartë me të gjithë të tjerët, në diptikun e Patriarkanës Ekumenike në të cilën janë të regjistruara të gjitha kishat ortodokse kanonike në botë.

Hirësia Juaj, keni zgjedhur rrugën e vetme për zgjidhjen e statusit të merituar të KOM-AO. Me këtë vendim të drejtë kanonik, me gëzim dhe pa përmbajtje më të vogël do ta presim shërbimin e përbashkët me përfaqësuesit e kishave të tjera ortodokse në selinë e Patriarkanës së Kostandinopojës, me të cilën do të pranohet KOM-AO si kishë motër e barabartë.

Uroj popullin besnik maqedonas për durimin dhe këmbënguljen. Me besim se meritojnë të mirëpresin ditën kur do të pranohen në dashuri dhe kur do t’i gëzohen Kryepeshkopatës së restauruar të Ohrit në personin e KOM-së si të barabartë dhe zyrtarisht të pranuar në bashkësinë e kishave ortodokse.

Në aktin historik të pranimit të KOM-AO si kishë kanonike autoqefale janë inkorporuar edhe veprat madhështore të të shenjtëve  Kirili dhe Metodi, të Shën Klimentit,  si dhe veprat e të gjithë të mëdhenjve të tjerë kishtarë dhe shpirtërorë, të përfshirë në krijimin dhe afirmimin e identitetit të popullit maqedonas.

Nga frytet shpirtërore dhe kontributi i atyre të të mëdhenjve tanë në vazhdën historike të vazhdimësisë sonë, sot Maqedonasit dhe gjuha maqedonase janë mbishkruar në thesarin e popujve dhe gjuhëve botërore dhe askush nuk ka më dilema, askush nuk e konteston më këtë.

Le të mbetet përgjithmonë në kujtesë  dita kur KOM-AO e fitoi autoqefalin e saj.