Fjalime hyrëse në ngjarje mbajtën ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski dhe kryetari i AMMSH-së Lirim Dullovi, pas së cilave vijoji diskutimi me përfaqësuesit prezent të mediave të shtypura.
Me këtë rast, ministri Aliti theksoi se rritja e përdorimit të teknologjive të reja ka ndryshuar realitetin e hapësirës mediatike, gjë që ka reflektuar në cilësinë e informacionit dhe veçanërisht në qëndrueshmërinë financiare të medias së shtypur. Për këtë, siç nënvizoi ai, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga viti 2018 përmes programeve vjetore siguron mbështetje financiare për mediat e shtypura dhe tashmë është duke e shqyrtuar modelin për mbështetje të vazhdueshme sistematike.
Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, këtë debat e vlerësoi si hap drejt gjetjes së zgjidhjes cilësore, duke theksuar periudhën e vështirë në kohën e pandemisë me KOVID-19, kur një pjesë e mjeteve për mbështetjen e mediave të shtypura ishin reduktuar. Dimovski theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që programi aktual për mbështetjen e mediave të shtypura të shndërrohet në një zgjidhje sistematike ligjore dhe gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë në mediat rajonale dhe diversitetit kulturor të mjedisit mediatik në vend.
Përfaqësuesit e AMMSH-së, SHGM-së dhe mediave të shtypura e konfirmuan domethënien e ndihmës qeveritare për mediat e shtypura në vitet e fundit, duke theksuar shpenzimet e rritura për shtypjen e tyre, si dhe për rëndësinë e mbijetesën si bastione të profesionalizmit dhe kronikë të historisë së shtetit.
Ata theksuan rëndësinë për përmirësimin e statusit social të gazetarëve profesional dhe ambientin në të cilin ata punojnë, duke apeluar për rritjen e shtypjes, cilësisë së përmbajtjeve mediatike dhe numrin e gazetarëve të punësuar në këto media.
Në fund të diskutimit bashkërisht u vlerësua se ky diskutim është vetëm një segment në përpjekjet e përbashkëta për gjetjen e modelit për ruajtjen e mediave të shtypura, përmes propozim-zgjidhjes ligjore për mbështetjen e tyre, që do të shqyrtohet përmes debatit gjithëpërfshirës në periudhën e ardhshme.