Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar për harmonizimin e përpjekjeve të saj kombëtare me Agjendën e Inovacioneve për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtyre viteve të fundit, Qeveria tregoi nivel të lartë përkushtimi për përmirësimin e ekosistemit kombëtar për kërkim dhe inovacione. Një shumë e konsiderueshme e buxhetit kombëtar është ndarë për inkurajimin e kërkimit dhe inovacioneve.
Këtë e theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri sot në Tiranë, Republika e Shqipërisë në takimin ministror të platformave të Ballkanit Perëndimor për kërkim dhe inovacione, arsim dhe trajnim, ku krahas ministrave të Arsimit të vendeve që na rrethojnë, të pranishëm janë edhe Komisionerja Evropiane për inovacione, kërkim, kulturë, arsim dhe të rinj, znj. Maria Gabriel dhe Drejtorët e Përgjithshëm të Drejtorive për Kërkim, Inovacione dhe Arsim, Kulturë dhe Sport.
Buxheti shtetëror për kërkim është dyfishuar në krahasim me vitin e mëparshëm. Pjesa më e madhe nga mjetet financiare është ndarë për financimin e projekteve kërkimore-shkencore për mbështetjen e infrastrukturës kërkimore të fakulteteve dhe institucioneve publike shkencore. Duke vënë në tryezë digjitalizimin dhe Axhendën e Gjelbër si prioritete horizontale, me Fondin për Inovacione planifikohet një seri sfidash sociale që do t'i pozicionojnë inovacionet si forcë lëvizëse për transformimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë dhe pozicionimin e inovacioneve, deklaroi Shaqiri.
Gjithashtu vlen të theksohet, se siç u shpreh ministri, se Maqedonia e Veriut tregoi progres të fuqishëm kohëve të fundit në procesin e identifikimit të fushave prioritare për specializim të zgjuar me finalizimin e procesit të zbulimit të sipërmarrësisë, madje edhe në kohë të kufizimeve gjatë periudhës së COVID.
Ministri, theksoi edhe nevojën për një ligj të ri për veprimtarinë inovative, me qëllim që të reflektojë në mënyrë përkatëse ndryshimin e politikave inovative dhe sfidat globale socio-ekonomike, të orientuara drejt investimeve publike për rritjen efikasiteti të tyre.
Takimi ministror për arsim dhe trajnim këtë vit u fokusua në temën e të mësuarit për qëndrueshmërinë e ambientit jetësor. Në fjalën e tij, ministri Shaqiri shtoi se rritja e gjelbër do të thotë inkurajim i zhvillimit ekonomik, por njëkohësisht edhe kujdes për resurset natyrore dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve.
Kjo sfidë kërkon investime të zgjuara dhe koordinim të mirë të të gjitha palëve të interesuara nga sektori publik, privat dhe ndërkombëtar. Prandaj është e rëndësishme që sistemi arsimor të njohë nevojat për një tranzicion të gjelbër dhe të sigurojë burime për ballafaqimin me ndryshimet klimatike. Iniciativat e Europës së Gjelbër dhe digjitale janë futur gjithashtu në Konceptin e ri të Arsimit Fillor, theksoi Shaqiri.
Ministri informoi të pranishmit se është filluar program gjithëpërfshirës arsimor për mbrojtjen e mjedisit me trajtim dhe qasje inkluzive dhe sistematike. Programi parashikon inovacione sociale dhe nisma të udhëhequra nga të rinjtë për të rritur kapacitetin për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe krijimin e një rrjeti mësimor midis shkollave dhe institucioneve përkatëse kombëtare që punojnë në mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Në pajtim me Ligjin e ri për Arsimin e Mesëm, shtoi Shaqiri, se është formuar grup punues që punon në kapituj të veçantë për rregullimin e arsimit inkluziv, pjesëmarrjen demokratike të nxënësve, përjashtimin e të gjitha formave të diskriminimit, funksionimin e qendrave rajonale për arsim dhe aftësim profesional si dhe të mësuarit për qëndrueshmërinë ekologjike.
Si hap i dytë do të jetë përpilimi i Konceptit për Arsimin e Mesëm ku Korrniza Europiane e Kompetencave për Qëndrueshmërinë dhe Rekomandimin e Këshillit të Europës për mësimin e qëndrueshmërisë së mjedisit jetësor do të konsiderohen si bazë e përbashkët në zhvillimin e programeve për arsim dhe trajnim. Në këtë drejtim, gjatë dy viteve të fundit është rritur interesimi për verifikimin e programeve të veçanta të arsimit joformal për vende të punës të gjelbra dhe aktualisht kemi më shumë se 10 programe të certifikuara të arsimit joformal për kualifikimet e gjelbra siç janë: menaxhimi i sistemeve të energjisë së rinovueshme, përdorimi i sistemeve të paneleve solare, mirëmbajtja e sistemeve fotovoltaike, u shpreh ministri Shaqiri.