Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të ardhshëm të Organizatës më të madhe për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE-së dhe në cilësinë e Kryesuesit aktual të Grupit të Partnerëve Mesdhetar për Bashkëpunim të OSBE-së, realizoi takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Arabe të Egjiptit, Sameh Hassan Shukri Selim, në Kajro.
Në takim u konfirmuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira miqësore midis dy vendeve, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral dhe u shkëmbyen mendime për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të përgjithshëm.
Njëherit, Ministri Osmani e informoi bashkëbiseduesin për qëllimet prioritare të Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimit të OSBE-së në vitin 2023. U bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit me Grupin e Partnerëve Mesdhetarë, veçanërisht për shkak se agresioni rus ndaj Ukrainës dhe rrethanat e rënduara gjeopolitike spikatën edhe më shumë rëndësinë e partnerëve mesdhetarë, si një çështje unike që e mundëson OSBE për shkëmbim të përvojave dhe dialog.
Gjithashtu, Osmani theksoi: “Në Egjipt shohim një partner në promovimin dhe zbatimin e Agjendës Mesdhetare të OSBE-së dhe një vend në të cilin mund të mbështetemi në përballjen me sfidat e sotme dhe të ardhshme të sigurisë globale”.
Ministri theksoi se Maqedonia e Veriut, si vend i lidhur indirekt me Mesdheun, ka interes të veçantë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe komunikimit me të gjitha vendet e Mesdheut.
“Pikërisht me iniciativën tonë Konferenca e sivjetme Mesdhetare e OSBE-së u mbajt në Jordani, kështu që pas shtatë vitesh kjo konferencë iu kthye partnerëve mesdhetarë”, tha Osmani.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe sfidat e sigurisë, si dhe për prioritetet e politikës së jashtme dhe situatat në mjedisin e afërt të të dy vendeve.