Në bashkëorganizim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Fakultetit Filozofik pranë Universitetit "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme u mbajt forum me temë “Sfidat aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në situatën në Ukrainë”.
Fjalë hapëse kishin Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Dekani i Fakultetit Filozofik, Ratko Duev.
Osmani në fjalimin e tij, iu referua sfidave aktuale politike dhe të sigurisë në rajon dhe më gjerë, veçanërisht krizës në Ukrainë, por edhe çështjeve të tjera të rëndësishme, që paraqesin kërcënim për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në botë.
“Në këtë kohë të pasigurt dhe komplekse, është e një rëndësie të veçantë që shpejtë t’i lokalizojmë sfidat dhe kërcënimet e mundshme të sigurisë dhe të bëjmë përpjekje maksimale në kërkimin e zgjidhjeve të shpejta, cilësore dhe efikase, si dhe t’i sigurojmë të gjithë mekanizmat dhe mjetet e nevojshme për mbrojtjen e duhur dhe në kohë të pavarësisë, sovranitetit, integritetit, sigurisë dhe vlerave të tjera thelbësore të shtetit tonë dhe qytetarëve tanë”, theksoi Osmani.
Njëherazi, Ministri i theksoi edhe sfidat aktuale ndërkombëtare politike dhe të sigurisë, të cilat janë të lidhura me sigurinë informatike dhe rritjen e krimit kibernetik, pavendosmërinë në implementimin e aktiviteteve dhe masave të dakorduara në luftën ndaj ndryshimeve klimatike, promovimin e pamjaftueshëm të politikave për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, barazisë gjinore, lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të tjera fundamentale.
Osmani mes tjerash e konfirmoi gatishmërinë e vendit për marrjen e Kryesimit me OSBE, PBEJL dhe A5 (SHBA-Karta e Adriatikut), intensifikimin e procesit të negociatave për anëtarësim me BE-në dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira bilaterale, rajonale dhe multilaterale, të cilat do të ndikojnë pozitivisht në realizimin e plotë të prioriteteve të politikës së jashtme të vendit.
Në fokus të këtij forumi gjithashtu ishte edhe përcaktimi dhe miratimi i shpejtë, transparent dhe cilësor i Strategjisë gjithëpërfshirëse për politikën e jashtme “Reflektime 2030”.
Me pikëpamjet, mendimet dhe qëndrimet e tyre u përfshinë edhe anëtarët e Këshillit Strategjik të Ministrisë, si dhe profesorë dhe studentë nga Fakulteti Filozofik.