Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka lançuar zyrtarisht ADA-n, asistentin digjital në sektorin publik, i pari në rajon dhe më gjerësisht i bazuar në inteligjencën artificiale. ADA nga dita e sotme është në dispozicion të kompanive, e cila do t'u mundësojë atyre të marrin informacion të plotë për kushtet për të investuar në vendin tonë dhe për ndihmën shtetërore që ofrohet për investime.
Nëpërmjet asistentit digjital, qytetarët dhe investitorët e huaj të interesuar do të mund të njihen me programet në dispozicion dhe thirrjet e hapura të institucioneve që veprojnë si ofrues të ndihmës shtetërore, si dhe garanton transparencë të madhe, marrje efikase dhe efektive e të dhënave të biznesit në kohë reale 24 /7 në tri gjuhë, maqedonisht, shqip dhe anglisht në adresën e internetit:ada.gov.mk.
Kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij, tha se prezantimi i asistentit të parë digjital në ofrimin e shërbimeve publike paraqet përmirësim të praktikave tona të digjitalizimit në shoqëri.
“Republika e Maqedonisë së Veriut po digjitalizohet. Vendi ynë ndjek proceset botërore dhe tashmë është pjesë e valës së tendencave të reja, moderne, digjitale, të cilat mbulojnë çdo aspekt të jetesës sonë, dhe gjëja më e thjeshtë për të thënë është se po, ADA po vjen, e cila është asistenti i parë digjital i krijuar ndonjëherë në Qeverinë e vendit tonë. Procesi i digjitalizimit është i pandalshëm kudo në botë, edhe në vendin tonë. Si Qeveri e cila ka për qëllim modernizimin dhe përcjelljen e trendeve botërore, në periudhën e kaluar kemi mbështetur dhe do të vazhdojmë të mbështesim një numër të madh të iniciativave inovative”, tha Kryeministri Kovaçevski në fjalimin e tij, në prezantimin e sotëm të asistentit të parë digjital në sektorin publik – ADA.
Duke potencuar se përkrahja me investime në kompani është në rritje të vazhdueshme, Kryeministri Kovaçevski theksoi se vitin e kaluar është shënuar pagesa rekord prej 23 milionë euro, si dhe numër rekord i kompanive të mbështetura, gjithsej 410, sipas Ligjit për mbështetje financiare të investimeve.
“Shfrytëzimi i inteligjencës artificiale dhe kompjuterizimi është pasqyruar dhe aplikuar në sferën publike, si dhe në funksionimin e institucioneve tona. Pra, e ilustruar përmes shembujve të thjeshtë, nëse më parë biletat jepeshin nga njerëzit, tani makineritë e bëjnë këtë. Pagesa fizike e faturave, e cila dikur mund të bëhej vetëm përmes sporteleve, tashmë është zëvendësuar me pagesën online, ashtu siç është e mundur pajisja me dokumente personale në mënyrë elektronike, dhe ajo që po punohet tashmë është një ID elektronike për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Kështu, përjashtojmë ndikimin e faktorit njeri, mundësinë për gabime dhe praktika korruptive", tha Kryeministri Kovaçevski. Zëvendëskryetari i Qeverisë, i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinimin të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, në fjalimin e tij tha se ADA po materializon ndryshimin për të cilin të gjithë kemi nevojë, po materializon digjitalizimin për të cilin flasim vazhdimisht, për transparencë, efektivitet dhe efikasitet në sektorin publik.
“Por cili është rezultati i ADA, nga ka ardhur? Kishte dy gjëra kryesore dy vite më parë kur filluam diskutimin për ADA. I pari ishte raporti i Departamentit të Shtetit që doli në atë kohë për luftën kundër korrupsionit. Në segmentin kundër korrupsionit, ishte një pjesë që i referohej shpërndarjes së ndihmës shtetërore dhe mbështetjes për investime, ku thuhej se transparenca është kyçe për frenimin e shfaqjes së korrupsionit dhe se eliminimi i tij do dhe duhet të jetë imperativ për Qeverinë.
Dhe sot natyrshëm, ne gjetëm përgjigjen në asistentin digjital bazuar në inteligjencën artificiale ADA. Sfida e dytë ishte personale, sepse si kryetar i këshillit për eko-sistemin start-up, ishte se si t'i ndihmonim kompanitë tona vendase të tregojnë me të vërtetë atë që dinë. Dhe rezultati i dytë është ADA, e krijuar nga një star-ap kompani vendase, Kodvell”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi.
Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, theksoi se Fondi vazhdon të jetë shtytës i ndryshimeve shoqërore.
“Sot me projektin ADA dërguam një mesazh të fortë se është koha për ndryshime të reja teknologjike që do të sigurojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët. ADA është këtu dhe është e gatshme të mundësojë një komunikim të ri, modern të qytetarëve me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe të inkurajojë investitorët vendas dhe të huaj për masat e ndihmës shtetërore. Investimet në zhvillimin e inteligjencës artificiale janë në rritje në vendin tonë dhe përfitimet e saj do t'i ndjejmë shumë shpejt. Fondi si institucion do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla dhe të ngjashme që do të çojnë në digjitalizim dhe transformim më të shpejtë të ekosistemit maqedonas”, tha Festim Halili, drejtor i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik.
Në këtë ngjarje mbajti fjalim edhe ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, i cili tha se digjitalizimi është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
“Digjitalizim në vendin tonë nuk nënkupton vetëm ofrimin e shërbimeve në kohë reale, por në të njëjtën kohë eliminimin e korrupsionit dhe prandaj besojmë thellë se përmes kësaj qasjeje do ta ulim nivelin e korrupsionit”, tha Aliu.
Nino Karas, një nga bashkëthemeluesit e kompanisë Kodvell që përpunoi ADA-n, tha se asistenti digjital mundëson krijimin e punonjësve digjitalë të cilët janë ekspertë në një fushë të mbyllur njohurish dhe automatizojnë komunikimin me përdoruesit përfundimtarë.
“Asistentë të tillë digjitalë janë në gjendje të ofrojnë komunikim natyral me përdoruesit e fundit përmes kanaleve të bisedës të ngjashme me komunikimin me një person real, janë të disponueshëm në çdo kohë dhe u shërbejnë përdoruesve në gjuhën e tyre amtare. Thjesht imagjinoni të keni qasje te punonjësi më i mirë i sportelit, i cili është në dispozicion për ju 24x7 për komunikim përmes aplikacioneve të njohura të chat-it (Facebook Messenger dhe Viber) dhe që mund t'ju ndihmojë për çdo gjë me interes në lidhje me institucionin përkatës”, deklaroi Karas.
Në thirrjen publike, kompania “Kodvell Anlimited” është vlerësuar në konkurencën e tre projekteve si ideja më inovative për AI asistent digjital, për realizimin e së cilës shteti ka siguruar nëntë milionë denarë nga buxheti i FIZHT-së përmes Fondit për Inovacioni dhe Zhvillimi Teknologjik.